Prokuroria ka marrë sot rolin e avokatisë, ndërsa i ka kërkuar Gjykatës së Lartë që të shpallë të pafajshëm Spartak Brahon për akuzën e shpifjes, për të cilën e kishte paditur deputeti Tom Doshi.
Tom Doshi ka kërkuar 1 lekë dëmshpërblim për akuzat e Spartak Brahos.
Padia e Doshit ndaj Brahos erdhi pas një deklaratë të kryetarit të komisionit të Sigurisë Kombëtare sipas të cilit Tom Doshi kishte falsifikuar një raport mjekësor për të mos marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit të Mandateve kur shqyrtohej mandati i tij për akuzat ndaj Ilir Metës.
Sipas Brahos, Doshi kishte përfituar nga fakti që gruaja e mjekut që kishte dhënë raportin punonte te “Profarma”.
Në seancën e sotme prokurori i çështjes Sokol Stojani u shpreh se deklarata e Spartak Brahos është vetëm një opinion i tij dhe nuk ka elementë të veprës penale.
Nga ana e saj Gjykata e Lartë deklaroi se do të japë në 9 shkurt vendimin për këtë çështje.












