Deputeti Ben Blushi ka vijuar sot kritikat me atë që po ndodh brenda në PS-së. Sipas tij, në PS po demonstohen dy standarde.
“Ajo që po ndodh sot në PS, është se po zgjidhen pothuajse të gjithë. Zgjidhen të gjithë, përvec kryetarit të PS që nuk do të zgjidhet. Kemi dy standarde. Si ka mundësi që të gjithë zgjidhen, vetëm jo kryetari”, u shpreh Blushi.
Më tej Blushi ka ironizuar me frikën e Edi Ramës, i cili sipas tij, me gjithë këto suksese e reforma ka frikë të kandidojë.
“Ky njeri që ka bërë gjithë këto reforma, pse ka frikë të zgjidhet. Për fat të keq ky është një mandat i grabitur prej tij. Kush mund të afrohet në këtë parti që kryetari nuk zgjidhet por vetëemërohet”, u shpreh Blushi.
Duke konfirmuar kandidimin e tij për kreun e PS, Blushi risolli në vëmendje parashikimet e Statutit të PS, ndërsa i dha edhe një “goditje”, një pretendimi të “profesor” Servet Pëllumbit, sipas të cilit në këtë gjendje nuk ka nevojë të bëhen zgjedhje në PS.
“Padyshim që i qëndroj garës. Jam në garë në qoftë se ka garë. Unë njoh një skenar…, zgjedhjet një herë në 4 vjet të drejtuesve të organizatave dhe strukturave një herë në katër vjet, dhe zgjedhje të kryetari të PS një herë në katër vjet me parimin ‘një anëtar një votë’. Lexova një gjë të çuditshme nga një që e mban veten për profesor, sipas të cilit ‘në momentin që jemi, nuk është mirë të bëhen zgjedhje në PS’. Më duket absurde”, u shpreh Blushi.
“Nuk besoj të ketë surpriza, pasi ato, në rastin konkret, veçse e demontojnë partinë dhe mendoj që në PS ka forca që mënjanojnë këta faktorë dëmtues. Unë e shikoj në shtratin e forcimit të mëtejshëm Partinë Socialiste”, është shprehur më herët Servet Pëllumbi për gazetën “Shqip”.
“Unë i shikoj zgjedhjet në bazë të statutit, jo jashtë tij, por edhe të interesave të momentit për qeverisjen dhe për Partinë Socialiste. Zhurma për kandidime të tjera nuk më emocionon fare. Ka të tjerë prioritete PS, sigurisht që demokracia e brendshme në parti ka rëndësinë e vet, por tashmë ka të tjera prioritete dhe çdo gjë duhet parë në përputhje me to dhe jo thjesht për të parë germën e demokracisë”, shprehet më tej Servet Pëllumbi, i cili ka nxitur edhe reagimin ironik të Ben Blushit.












