Një rast i dyshuar trafikimi ndërkombëtar i armëve të zjarrit dhe municioneve luftarake është zbuluar dhe goditur në Pogradec.
Mësohet se policia vendore ka gjetur dhe sekuestruar në banesën e 27-vjeçarit Redi Hymetllari në fshatin Alarup 1 armë zjarri gjysmë-automatike model 56, 1 armë gjahu, “Shotgun” model 88 dhe 720 fishekë luftarakë model 56.
Sipas të njëjtave burime, dyshohet se Hymetllari armët e zjarrit si edhe municionin luftarak që posedonte, do t`i trafikonte në shtetin Maqedonas, duke shfrytëzuar kufirin e gjelbër.
Nga ana e Policisë, po punohet për dokumentimin e plotë të ngjarjes, si dhe kapjen e autorit.
Materialet për hetime të mëtejshme, iu referuan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprat penale, “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.











