Denis Shtraza, autori i dyshuar i vrasjes së Gazment Çollakut
Drejtoria e Policisë vendore e Durrësit ka dhënë hollësi se si u ndalua dhe se cila është e kaluara e të dyshuarit si një nga rrëmbyesit dhe vrasësit e Gazmend Çollakut.
Sipas policisë së Durrësit, Denis Shtraza u arrestua mbrëmjen e kaluar, rreth orës 21:00 në Rinas, ndërsa tentonte të largohej nga Shqipëria. Ndalimi i 33-vjeçarit u krye pasi, dyshohet si një nga autorët e rrëmbimit dhe më pas të vrasjes së shtetasit Gazment Çollaku.
Të njëjta burime saktësojnë se Denis Shtraza është person me tendenca të theksuara kriminale, me precedentë penalë të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër jetës, i dyshuar si anëtar i një grupi kriminal që operon në zonën e Durrësit dhe të Tiranës.
Gazment Çollaku u rrëmbye forcërisht më datën 6 janar të këtij viti, në lagjen Nr. 1 në Durrës, nga 4 persona, 3 prej të cilëve me jelekë dhe mbishkrimin”Policia”. Rrëmbyesit e morën me forcë duke e futur në mjetin e tyre tip Audi A6 me ngjyrë të zezë, shtetasin, Gazment Çollaku 34 vjeç, banues në Durrës. Të nesërmen ai u gjet i vrarë me armë zjarri një ditë më pas në fshatin Murqin, Krujë, i hedhur në rrugë dhe me gjymtyrë të lidhura.
Polica e Durrësit saktëson se vijojnë hetimet intensive për zbardhjen e plotë të ngjarjes si dhe dokumentimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje. Materialet i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Tiranë për veprime të mëtejshme për veprat penale”Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit dhe vrasja” të kryera në bashkëpunim.












