Në foto, lartë autorët e masakrës Aleksandër Llanaj, Ani Begaj dhe Bertil Aliaj
dhe poshtë viktimat, Haki Rakipi , Ardi Velaj dhe Albi Limaj
Gjykata e Vlorës ka pranuar sot kërkesën e Prokurorisë dhe dënon me “burgim të përjetshëm” shtetasin Aleksandër Llanaj dhe me nga 35 vjet burgim Ani Begaj dhe Bertil Aliaj, të akuzuar për vrasje të trefishtë në Vlorë.
Prokuroria e Vlorës, në përfundim të gjykimit kërkoi shpalljen e tyre fajtor për “vrasje në rrethana cilësuese”, në bashkëpunim, në dëm të shtetasve Albi Limaj, Haki Rakipi dhe Ardi Velaj, ngjarje e ndodhur në datën 07. 04. 2015, në lagjen “1 Maji” të qytetit Vlorë, gjatë një konflikti me armë ndërmjet disa personave.
Fillimisht, të akuzuarit janë hetuar me masën e sigurimit “arrest në burg”. Por më pas, gjykata e Vlorës zbuti masën e sigurimit për shtetasit Ani Begaj dhe Bertil Aliaj, duke i vendosur “detyrim për paraqitje”, pavarësisht provave të shumta në ngarkim të tyre.
Ngjarja sipas prokurorisë

Vendi i vrasjes së trefishtë në Vlorë
Nga tërësia e provave dhe thënieve të dëshmitarëve ka rezultuar se shtetasit Albi Limaj dhe Ardi Velaj, më datën 07. 04. 2015, kanë komunikuar me telefon me njëri-tjetrin në lidhje me një ngjarje të ndodhur në orët e para të mëngjesit të së njëjtës ditë (që lidhej me shtetasin Xhuljano Maskaj). Më konkretisht, ka rezultuar se Albi Limaj kishte në përdorim numrin telefonik 0698981270 ndërsa shtetasi Ardi Velaj kishte në përdorim numrin telefonik 0698917379 ku janë rezultuar komunikime telefonike. Fillimisht komunikimi midis tyre ka filluar në orën 12.33 me telefonatën e shtetasit Albi Limaj në drejtim të numrit telefonik të shtetasit Ardi Velaj. Më pas, komunikimet e tjera vijojnë në orën 13.50 e në vijim. Rreth orës 14.00 të datës 07. 04. 2015, në drejtim të kafe “Ador” janë filmuar duke ecur së bashku shtetasit Ardi Velaj dhe Haki Rakipi, njëri prej të cilëve është duke pirë cigare.
Më pas, shtetasit Ardi Velaj dhe Haki Rakipi janë futur në njërën nga hyrje të lokalit (lokali ka dy hyrje) duke u futur fillimisht në verandën e lokalit. Ata kanë qëndruar në verandë përballë njëri-tjetrit duke biseduar dhe pirë cigare. Pas rreth një-dy minuta (kohë fizike), në hyrjen tjetër që të fuste në verandën e lokalit “Ador” janë parë duke hyrë së bashku shtetasit Albi Limaj dhe i pandehuri Aleksandër Llanaj. Në momentin që këta të fundit janë futur në verandën e lokalit “Ador” i pandehuri Alekandër Llanaj, duke ecur në drejtim të shtetasve Haki Rakipi dhe Ardi Velaj, ka goditur me armë zjarri në drejtim të tyre duke goditur fillimisht në drejtim të shtetasit Ardi Velaj.
Si pasojë e goditjes me armë zjarri, shtetasit Ardi Velaj i është shkaktuar një plagë në kokë, në anën e majtë (pra në anësore) dhe se pistoleta që ishte pranë shtetasit Ardi Velaj nuk ka realizuar asnjë qitje. Po kështu, nga i pandehuri Aleksandër Llanaj është goditur më pas, fillimisht në gjoks, shtetasi Haki Rakipi, i cili kishte armë pa viaska, fiksuar në vendngjarje, me të cilën ka goditur tetë herë (sipas aktit të ekspertimit kimik kishte faktor të qitjes) të gjetura në vendin e ngjarjes që i përkasin kësaj arme.
Rezulton se shtetasi Haki Rakipi është goditur për herë të dytë nga arma e të pandehurit Aleksandër Llanaj në kokë, në pjesën e djathtë të tij (pra në anësore). Nga automjeti tip BMW, me targa AA 323 AO, ka dalë i pandehuri Bertil Aliaj, i cili pasi është futur në anën e lokalit ku ndodhej ende i gjallë shtetasi Albi Limaj duke konstatuar plagosjen e tij. Shtetasi Albi Limaj ka dalë nga lokali “Ador” nga e njëjta hyrje që edhe është futur në verandën e tij, ndërsa i pandehuri Aleksandër Llanaj, ka dalë nga pjesa tjetër e lokalit nga ku ishin futur dhe qëndronin në verandë të shtrirë në tokë kufomat e shtetasve Haki Rakipi dhe Ardi Velaj.
Rezulton se i pandehuri Aleksandër Llanaj është futur në automjetin BMW X5, me targa AA 323 AO që drejtohej nga i pandehuri Ani Begaj dhe ka komunikuar me këtë të fundit. Më pas, i pandehuri Ani Begaj është afruar tek i pandehuri Bertil Aliaj me të cilin kanë komunikuar dhe ku i ka dhënë armën e luftarake që i pandehuri Aleksandër Llanaj ka bërë goditjet. Më pas, i pandehuri Bertil Alliaj dhe i pandehuri Ani Begaj si nuk kanë mundur të bëjnë dërgimin në automjet edhe të shtetasit Albi Limaj për shkak se ky i fundit kishte rënë i shtrirë në asfalt, i pandehuri Bertil Aliaj është larguar me vrap. Gjatë largimit të tij, pandehuri Bertil Alliaj është parë me dy armë dhe rezulton nga akti i ekspertimit kimik se ai ka faktor plotësues të qitjes në dorë.
Ndërkohë që i pandehuri Bertil Alliaj është larguar midis pallateve, i pandehuri Ani Begaj ka dërguar në spital të pandehurin Aleksandër Llanaj për shkak se ky i fundit rezultonte i plagosur. Fillimisht nga vendi i ngjarjes është larguar kufoma e shtetasit Albi Limaj. Nga këqyrja e kufomës rezulton se në trupin e viktimës vihet re një goditje me armë që i ka shkaktuar vdekjen dhe se gjatë këqyrjes i është gjetur një predhë. Sipas aktit të ekspertimit balistik, rezulton se predha që i është gjetur shtetasit Albi Limaj është qitur nga arma e të pandehurit Aleksandër Llanaj, ndërkohë që ky ishte spostuar në drejtim të hyrjes tjetër për në verandën e lokal “Ador” ku ndodheshin shtetasit Haki Rakipi dhe Ardi Velaj. Si pasojë e goditjeve me armë të të pandehurit Aleksandër Llanaj ka gjetur vdekjen shtetasi Albi Limaj.
Nga sa më sipër, rezulton se i pandehuri Aleksandër Llanaj ka kryer vrasjen me dashje me armë luftarake të shtetasve Haki Rakipi dhe Ardi Velaj, veprime këto të cilat i ka kryer në bashkëpunim me shtetasit Ani Begaj, Bertil Alliaj dhe të ndjerin Albi Limaj (i cili ka organizuar edhe takimin). Në lidhje me vrasjen e të ndjerit Albi Limaj, i pandehuri Aleksandër Llanaj duke e ekspozuar këtë të fundit me dashje ndaj goditjeve me armë të realizuara prej tij i ka shkaktuar atij vdekjen.
Përfundimisht, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë çmon se i pandehuri Aleksandër Llanaj ka kryer veprën penale të “Vrasjes në rrethana cilësuese” të parashikuar nga neni 79/dh i Kodit Penal (të shtetasve Albi Limaj, Haki Rakipi dhe Ardi Velaj) të kryer në bashkëpunim sipas nenit 25 të Kodit Penal në lidhje me shtetasit Haki Rakipi dhe Ardi Velaj, si dhe “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake në ambiente publike” të parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal. Ndërsa të pandehurit Bertil Alliaj dhe Ani Begaj kanë konsumuar secili më vete veprën penale të “Vrasjes në rrethana cilësuese kryer në bashkëpunim” (në të dëm të shtetasve Haki Rakipi dhe Ardi Velaj) të parashikuar nga neni 79/dh-25 të Kodit Penal dhe “Mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit në ambiente publike” të parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal.
Akuza ndaj bazohet në procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes, aktet e ekspertimit kimik, aktet e ekspertimit balistik, aktet e ekspertimit mjeko-ligjor, tabulatet telefonike, përgjimet e kryera, procesverbali për këqyrjen e pamjeve filmike, thëniet e personave të pyetur si deklarues etj.












