Këshilltarët e Partisë Demokratike depozituan sot në Këshillin bashkiak të Tiranës propozimin konkret, për uljen me 30% të taksave dhe eliminimin e tarifave të reja të shtuara.
“Paketa fiskale e prezantuar nga Bashkia Tiranë ka një rritje të pashpjegueshme të taksave në nivele të papërballueshme nga bizneset, p. sh.;, taksa e ndikimit në infrastrukturë nga 2-4 % shkon në 4-8 % të çmimit të shitjes, dhe taksa të reja si taksa mbi truallin, taksa e përkohshme për arsimin etj., për të gjitha këto taksa ne propozojmë uljen në nivelin 30 % që lejon Ligji për Qeverisjen Vendore.
Ndërkohë bashkia Tiranë ka prezantuar një sërë tarifash të reja të cilat ishin hequr. Ne gjykojmë që Bashkia Tiranë duhet të ofrojë shërbimet e saj pa tarifë për të gjithë ata që paguajnë rregullisht taksat. Ky shtim tarifash e rritje taksash është një barrë shtesë për qytetarët, bizneset e fermerët”, argumentojnë këshilltarët e PD-së në kërkesën e tyre.
















