Parashikimet e motit, flasin për një ulje të ndjeshme temperaturash në ditët e ardhshme në territorin e vendit. Në këto kushte, Ministria e Punëve të Brendshme, këshillon qytetarët e veçanërisht drejtuesit e mjeteve, të bëjnë kujdes sidomos gjatë qarkullimit në akset më problematike.
Ndërsa moti pritet të jetë me vranësira e reshje të dobëta shiu dhe dëbore, si dhe ulje të theksuar të temperaturës (kryesisht në orët e pasmesnatës dhe të mëngjesit), e cila në zonat malore pritet të shkojë nga -12°C deri -15°C.
Ulja e temperaturave do të shoqërohet me ngrica të theksuara, të cilat në akset rrugore mund të krijojë probleme në qarkullimin e mjeteve dhe të bëhet shkak për aksidente rrugore, paralajmëron Ministria e Punëve të Brendshme.
Nga ana e saj, Ministria e Punëve të Brendshme, bën të ditur se në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional në rast emergjencash civile, Prefektët e qarqeve (në bashkëpunim me Drejtoritë Rajonale të Rrugëve Kombëtare dhe Policinë Rrugore) do të inspektojnë gatishmërinë e mjeteve e forcave në depozitimin e kripës dhe granileve në segmentet problematike dhe mirëmbajtjen e akseve rrugore kombëtare nga ana e subjekteve të kontraktuara.
MPB konfirmon se do të ketë masa ndëshkuese ndaj subjekteve që nuk përmbushin detyrimet kontraktuale, si dhe ndaj drejtuesve të Degëve Rajonale të Autoritetit Kombëtar të Rrugëve për mos-ushtrim kompetencash në mosrealizimin e detyrave të ngarkuara në aktmarrëveshjet kontraktuale me subjektet private.
Akset kombëtare që preken nga ngricat ku duhet treguar më tepër kujdes
• Pukë – Qafë Mali – Fierzë – Bajram Curri – Valbonë;
Bajram Curri – Qafë Morini;
Rruga e Kombit;
Milot – Rrëshen – Kukës – Qafë Morinë;
Kukës – Kalaja e Dodës;
Kukës – Bajram Curri.
• Shkodër – Koplik – Hani i Hotit;
Koplik – Theth;
Shkodër – Tamarë – Vermosh;
Pukë – Fushë Arrëz – Iballë.
• Burrel – Qafë Buall – Bulqizë;
Peshkopi – Maqellarë;
Librazhd –Stërblevë – Peshkopi;
Peshkopi – Kalaja e Dodës.
• Elbasan – Librazhd – Prrenjas – Qafë Thanë;
Pogradec – Korçë – Kapshticë;
Korçë – Qafë Qarri;
Ersekë – Leskovik – Tre Urat;
Korçë – Voskopojë;
Korçë – Dardhë;
Korçë – Lozhan – Moglicë;
Gramsh – Cërrik – Elbasan.
• Berat – Poliçan – Çorovodë;
Memaliaj – Tepelenë – Gjirokastër – Kakavijë;
Gjirokastër – Sarandë – Qafë Botë;
Vlorë – Orikum – Llogara – Himarë;
Qafë Gjashtë – Sarandë.











