Duke e cilësuar si një kartolinë për fundvit, kryeministri komunikoi sot para gazetarëve “lajmin” se qeveria italiane ka depozituar në kuvend, vendimin për heqjen e taksës prej 500 eurosh që kamionistët shqiptarë detyroheshin të paguanin kur hynin në shtetin fqinj.
“Është bërë përpjekje e vazhdueshme në këto vite, por nuk është arritur që kamionistëve shqiptarë tu hiqet kjo barrë. Unë kam pasur sot një komunikim me kryeministrin italian dhe kam marrë lajmin e gëzuar për kamionistët dhe për të gjithë atë komunitet. Se më në fund është depozituar vendimi në parlamentin italian për heqjen e taksës, një barrë prej 500 euro për çdo kamion që hyn e del në Itali nga Shqipëria. Pasi të kalojë dhe procedurat parlamentare, ky hap kthehet në ligj dhe ndërkohë qeveria italiane bashkë me vendimin ka depozituar edhe mbulimin financiar të shumës që do tu hiqet nga shpina kamionistëve tanë. Është një zotim i mbajtur nga ana e kryeministrit italian, të cilit në mënyrë të vazhdueshme ja kam kujtuar se nuk mund të kalojë edhe një vit tjetër pa finalizuar këtë zgjidhje.”- theksoi kryeministri Rama.











