Sindikatat e Arsimit ka paralajmëruar kryeministrin Rama dhe qeverinë se do ndërpresin mësimin në muajin janar nëse nuk marrin shpërblimin e fundvitit. Ky reagim i tyre ka ardhur pas publikimit të kategorive që përfituan shpërblim për fundvitin.
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se do të përfitojnë 40 mijë lekë të reja vetëm mësuesit e dalluar. Pikërisht kjo ndarje ka nxitur edhe revoltën e sindikatave, të cilët paralajmërojnë: “Do ndërpresim mësimin në janar, nëse nuk marrim shpërblimin vjetor. Duam shpërblim për të gjithë mësuesit”. Sindikatat e mësuesve shtojnë se e drejta e shpërblimit është një e drejtë e fituar prej 16 vitesh. “Shpërblimi vjetor jo më pak se 10 mijë lekë, kjo është një e drejtë e fituar prej 16 vitesh. Paratë janë të garantuara në buxhetin e MAS”. Më tej ata shtojnë se do të përshkallëzojnë lëvizjen sindikale “Nuk tërhiqemi nga kërkesat, do përshkallëzojmë lëvizjen sindikale. Shpërblimi nuk merret prej 2 vitesh, kërkojmë fundin e një absurditeti. Ndihemi të diskriminuar për këtë ndarje”, jane shprehur ata.












