Lajmi i shpërblimit të pensionistëve, është një ndër lajmet i cili ka arritur që për dy javë rresht të jetë i përditshëm në mediat shqiptare. Fillimisht, ishte deputeti socialist Erion Brace i cili fiks dy javë më parë artikuloi këtë lajm në formën e “sihariqit”.
Me cilësinë e kryetarit të komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Erion Braçe, gjatë një komunikimi me median të martën e 15 dhjetorit 2015 shpjegonte në mëyrë të pakuptueshme dhe të panevojshme, pse jo edhe pa lidhje, se “pas miratimit nen për nen dhe në tërësi të projektbuxhetit dhe paketës fiskale për vitin 2016, shumë shpejt qeveria do të dalë me një vendim i cili përcakton masën dhe kriteret për dhënien e shpërblimit për pensionistët dhe disa kategori të tjera që nuk janë pjesë e administratës”.
Lajmi të mbushte me shpresë për ndonjë shpërblim më të madh se i vitit të kaluar, kur garancisë dhe sigurisë së tij Erion Braçe i shtonte deklarimin sipas të cilit, “qeveria, ka autorizuar tri ministritë e linjës për krijimin e fondit të posaçëm për shpërblimet, konkretisht Ministrinë e Financave, të Ekonomisë dhe Ministrinë e Mirëqenies Sociale”.
… Dy javë pas lajmit të anonçuar nga Erion Braçe mësohet se tre ministritë kanë dhënël, secila, më pak se 667 lekë (të reja) shpërblim për çdo pensionist…, e thënë ndryshe “u mbars mali dhe polli një mi”…
… Nejse s’kemi pse “ti biem në qafë” Erion Braçes. Ai kaq kishte në dorë kaq tha… Nuk ishte në dorë të bënte ndonjë gjë veç “fjalëve të mira e gurëve në trastë”.
Koha prej dy javësh e xhiros së lajmit të shpërblimit të pensionistëve, në përpjesëtim të zhdrejtë me shumën e shpërblimit, ka qenë një gjë e pa këndshme duket edhe prej kryeministrit Edi Rama. Për këtë, për ta bërë sa më “të bujshme” premtimin, ai në krye të dy javëve pas daljes së Erion Braçes, doli vetë para medieve dhe foli për 20 mijë lekësha shpërblim por me “lekë të vjetra”.
Nuk dihet sa ia ka arritur sot Edi Rama ta mbajë “ndezur” ende lajmin e “shpërblimit të fundvitit”, por reagimet e para të mësuesve punonjësve të shëndetësisë, apo edhe pensionistëve, pak lënë vend të mendohet e besohet se 20 mijë lekë (të vjetra) shpërblim janë shumë më shumë se 2 mijë lekë (të reja) shpërblim…












