Presidenti Nishani ka kthyer sërish në parlament ligjin “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave” i cili u miratua në parlament më 5 Dhjetor të këtij viti.

Në arsyetimin e Presidentit për kthimin e ligjit janë përfshirë disa kundërshti të ligjit me kushtetutën dhe Gjykatën e të Drejtavetë Njeriut.
Së pari: Skema e ofruar përmes këtij Ligji për zgjidhjen e problemit sistemik dhe të përsëritur në lidhje me mosekzekutimin e vendimeve në lidhje me kompensimin e pronarëve që kanë një vendim përfundimtar administrativ apo gjyqësor bie ndesh me parimin kushtetues të sigurisë juridike dhe nuk është aspak efektive sic kërkohet nga GJEDNJ referuar vendimit pilot Manushaqe Puto dhe të tjerë k. Shqipërisë. Pretendohet se në hartimin e ligjit është referuar në kërkesat e GJEDNJ-së referuar vendimit pilot Manushaqe Puto & të Tjerë k. Shqipërisë dhe jurisprudencës së GJEDNJ që ka referuar cështjen e pronës, por rezulton që kërkesat e Gjykatës të mos jenë plotësuar dhe për më tepër kjo skemë të jetë në kundërshtim me jurisprudencën në vite të GJEDNJ-së lidhur me cështjen e pronës në Shqipëri.
Së dyti: Skema e ofruar përmes këtij Ligji për trajtimin e dosjeve të patrajtuara apo ato që do të depozitohen rishtazi pas hyrjes në fuqi të ligjit bie ndesh me parimin kushtetues të sigurisë juridike, të barazisë para ligjit dhe të së drejtës së ankimit.
Qeveria pasi ka ndaluar pa shkak në dy vjet shqyrtimin e kërkesave të aplikantëve, të cilët kanë pritur prej vitesh të realizojnë të drejtën e tyre, tashmë ka vendosur të ndryshojë rregullat e trajtimit të pronës për subjekte të cilat kanë ndoshta edhe 10 vite që kanë paraqitur kërkesën e tyre.
Në përfundim, shkruan Presidenti, referuar sa më sipër kërkoj mirëkuptimin Tuaj në rishqyrtimin të ligjit nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, pasi bie ndesh me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, vendimin pilot “Manushaqe Puto dhe të tjerë k. Shqipërisë”, jurisprudencën e GJEDNJ-së, Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe jurisprudencën me fuqi detyruese të Gjykatës Kushtetuese.











