Një nënë e dy fëmijëve në Lezhë ka mbetur në qiell të hapur, pasi persona të paidentifikuar ende i kanë djegur banesën ku jetonte.
Rozeta Hila, nga Raboshti i Lezhës prej vitesh thotë se vuan dhunën dhe kërcënimet e ish-bashkëshortit të saj.
“Jeta ime dhe e dy fëmijëve të mi të mitur është në rrezik dhe kërkoj ndihmën e shteti që të më mbrojë”.
Ky është denoncimi i Roza Hiles, nënë e dy fëmijëve të mitur 6 dhe 4 vjeç, e cila prej një viti është e ndarë nga bashkëshorti.
Ajo rrëfen se ish-bashkëshorti e ka dhunuar vazhdimisht dhe rasti më i fundit ka qene djegia e banesës dy ditë më parë, ngjarje për të cilën akuzon ish-bashkëshortin e sajë.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës, teksa banesa e sajë fillimisht është shkatërruar dhe më pas i është vënë zjarri. Për të fat të mirë natën kur ka ndodhur ngjarja ajo bashkë me fëmijët ishin tek disa të afërm dhe nuk ndodheshin brenda banesës.
Ajo rrëfen se kishte urdhër-mbrojtjeje dhe se gjykata ia kishte lënë shtëpinë në përdorim asaj dhe dy fëmijëve të mitur, ndërkohe që me përfundimin e urdhrit të mbrojtjes, është lënë që të kthehej edhe bashkëshorti por që sipas sajë ai nuk është kthyer por ka vepruar në prapaskena.
Rozeta thotë se rendet prej tre ditësh në dyert e policisë duke kërkuar mbrojtje dhe zbardhjen e ngjarjes, por sipas sajë nuk ka gjetur asnjë mbështetje.












