Të ftuar në Tonight Ilva Tare, intelektualët e diasporës, Shenasi Rama, Valbona Karanxha dhe Grid Rroji, prezantuan idenë e tyre për parinë e Tiranës, të shkruar edhe te libri “Paria e Rrethit të Ferrit”.
Paria e Tiranës sipas intelektualëve është klasa politike dhe intelektuale e vendit që po sundon popullin në mënyrë të padrejtë dhe që ka kapur shtetin dhe burimet ekonomike të tij.
Të pyetur edhe nëse alternativa që ata prezantuan në Shqipëri gjatë këtij muaji do të konkretizohej në parti, ata e lanë të hapur këtë mundësi duke i dhënë më shumë rëndësi ideologjisë së tyre për mënyrën e krijimit të shtetit.
Ilva Tare: Do krijoni parti të re?
Shenasi Rama: Ne jemi këtu si një forum intelektual që kërkojmë të ofrojmë një diagnozë të gjendjes politike në të cilën ndodhet shteti dhe kombi shqiptar. Ne ofrojmë gjithashtu një alternativë politike e cila gjendet në të gjithë librat tanë. Është një program i mirëfilltë politik. Ama ajo që ne bëjmë dhe kërkojmë mirëkuptim nga ju dhe të tjerët, shprehet më së miri me një krahasim dhe krahasimi është i tillë. Njeriu që konstrukton avionin, nuk fluturon me atë avion. Duhet të jetë piloti ta bëjë atë punë. Ju po kërkoni që ne që kemi konstruktuar ose po ofrojmë një ideologji të tillë, të jemi në të njëjtën kohë edhe njerëzit që do ta zbatojnë, edhe njerëzit që do të ndjekin rrugën e tillë.
Grid Rroji: Objektivi i përpjekjes sonë intelektuale ka qenë hapja e realitetit dhe vendosja e tij në qendër të vëmendjes së shqiptarëve. Të prezantosh një alternativ ideologjike në kontekstin aktual shqiptar ku të gjithë ramë dakord se është shumë e vështirë, që ka një frikë të madhe, ku paria kontrollon thuajse të gjitha kanalet e informacionit publik, është e vështirë. Çdo transformim, çdo ndryshim vjen me faza të caktuara, faza e parë është ndërgjegjësimi individual, i secilit prej njerëzve që e dëgjojnë këtë opinion, e dëgjojnë këtë opinion nëpërmjet familjarëve, nëpërmjet miqve, nëpërmjet mediave të cilat e pasqyrojnë këtë. Ky ndërgjegjësim sjell pastaj fillimin e organizimit, nga ky organizim pastaj kalohet në veprim politik. Kjo është e ditur, nuk po them ndonjë gjë që është e paditur. Së në cilën hulli shkon kjo ka pak rëndësi. Se cilët janë njerëzit që dalin të marrin këtë flamur, ka pak rëndësi. Unë besoj se alternativa e vetme për shqiptarët është alternativa që ne propozojmë, alternativa që ne paraqesim përpara shqiptarëve sot.
Valbona Karanxha:Detyra jonë është ndërgjegjësimi i masave për të kuptuar se ku jemi, gjëndjen dhe situatën ku jemi. Njerëzit mund ta interpretojnënë mënyra të ndryshme. Deri tani nuk ka asnjë grupim partiak dhe nuk ka asnjë parti të cilës ne i përkasim. Lëvizjet shoqërore të paplanifikuara mund të shkojnë në çdo drejtim, kështu që përjashtohet por edhe nuk përjashtohet. Ne deri tani nuk e dimë sepse detyra jonë është që populli të marrë mesazhin.











