Kreu i Kuvendit Ilir Meta, zbulon në një intervistë për RTV SCAN, pse ai nuk ishte i pranishëm në festën e 25 vjetorit të themelimit të PD-së.
“… Unë kam qenë vazhdimisht në festat e PD-së në të kaluarën… Në të njëjtën kohë ka pasur një prezantim të një libri të shkëlqyer ish-ambasadori i Shqipërisë në Gjermani dhe në vende të tjera dhe ish-kolegu im edhe këtu në Parlament dikur, Bashkim Zeneli. Një libër me mjaft vera dhe për pjesëmarrjen në prezantimin e këtij libri unë ia kisha dhënë fjalën z. Zeneli prej më shumë se një jave më parë. Jo vetëm kaq, por për këtë arsye shkurtova edhe qëndrimin në Gjermani, ku merrja pjesë në Kongresin e SPD-së për të qenë korrekt. Ndërsa për ftesën e PD-së jam njoftuar nga stafi im vetëm mëngjesin e ditës kur kjo festë do të bëhej. Kështu që unë bëra një kompromis, sepse jam i detyruar edhe në pozicionin e Kryetarit të Kuvendit të bëj kompromise, isha i detyruar të mbaja fjalën e dhënë për të marrë pjesë në prezantimin e Bashkim Zenelit dhe i dërgova një mesazh publik PD-së duke e uruar për themelimin e saj, sepse është vërtetë një parti që ka meritën historike që me lindjen e saj çeli edhe pluralizmin politik në vend”, sqaron Meta mungesën e tij në festën e PD.
Në intervistën e tij, më tej Meta shprehet se dekriminalizimi nuk mjafton për të ngritur kualitetin e përfaqësimit të Kuvendit por njëkohësisht duhet të dekriminalizojmë edhe mënyrën se si i drejtohemi njëri-tjetrit. Sipas tij, komunikimi në Kuvend i cili pothuajse në çdo seancë parlamentare i ka kaluar caqet e etikës, shmang thelbin e debatit dhe detyrimet e Kuvendit ndaj qytetarëve.
Duke u ndalur te prioritet e vitit 2016, për Metën , reforma në drejtësi mbetet primare.
“Uroj një vit më të paqtë, më të begatë. Uroj harmoni dhe më shumë gëzime në familjet e tyre”, e mbyll intervistën me një urim kryeparlamentari Ilir Meta.












