Mijërat e njerëzve që rrethuan bunkerin para ministrisë së Brendshme duke i vënë flakën dhe duke copëtuar pjesë të betonit të tij është vetëm një moment nga zemërimi i qëndrueshëm i qytetarëve shqiptarë ndaj qeverisë së Edi Ramës dhe Ilir Metës.
Protestuesit e dinë se betoni nuk merr flakë, po ashtu e dinë se ai nuk shembet me shkopinj hekuri. Ata as që e kanë ndërmend ta shembin me këto mjete por e kanë ndërmend ta heqin.
Por flaka në bunker është një gjetje e fortë dhe ndriçuese për të kumtuar tek qytetarët shqiptarë se është koha për të lënë pas një epokë pas së cilës janë kapur qeveria dhe politika shqiptare.
Bunkeri që shohin protestuesit e opozitës nuk është bunkeri që sheh Edi Rama.
Protestuesit shohin te bunkeri Edi Ramën ndërsa ky i fundit sheh “dy instalacione te artit urban”.
Protestuesit i mëshojnë bunkerit me pasion dhe këmbëngulje pa shikuar asnjë vështirësi, bile as të pamundurën e thyerjes së betonit me frymë, ashtu si statujës së Enver Hoxhës te sheshi apo te piramida 25 vjet me parë.
Ndërsa Edi Rama shikon egersi primitive të protestuesve.
Ka një diferencë të madhe mes qytetarëve dhe kryeministrit. Jo vetëm në cilësinë e jetës por edhe në cilësinë e të menduarit. Kryeministri mendon si zotëria pa halle, pa asnjë problem përvec atij të refleksionit estetik rreth veprave që po gjymtohen.
Ndërsa qytetarët e tij janë tjetër ku, në një hise tjetër të këtij vendi, ku hallet kanë marrë turmat përpara dhe estetika e të menduarit kapërthuret me mllefin.
Kur një kryeministër dhe qytetarët e tij janë nisur në drejtime të kundërta, atëherë Kryeministri është pa qytetarë dhe qytetarët janë pa kryeministër.
Lexoji mirë shkopinjtë mbi bunker dhe flakën brenda tij. Ke shansin të bësh sot nja 100 vizatime që nuk frymëzohen më nga ministrat e tenderave dhe vajzat apo gratë e kabinetit që ke rrotull, por nga dicka reale ku ka zjarr që ndizet dhe shkopinj që kërcasin.
Ai bunkeri je ti Edi Rama edhe pse duket se ne fillim ishte bunkeri.











