dekoratën më të lartë të shtetit shqiptar, “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”.
Bashkë me të u dekorua sonte edhe Lëvizja e Dhjetorit si edhe Musine Kokolari.
Presidenti Nishani organizoi sonte në mbrëmje një pritje festive e dekorime të personaliteve historike në nder të 25-vjetorit të shembjes së komunizmit: Mos lejoni demokracinë të merret peng.!
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani në mesazhin drejtuar të pranishmëve në këtë pritje, udhëheqësve politikë e figurave historike ndërkombëtare të kohës, ambasadorëve, përfaqësuesve të Trupit Diplomatik, personaliteteve politike të vendit, ish-të përndjekurve politik, familjarëve të martirëve të lirisë, ish-studentëve, intelektualëve dhe protagonistë të Lëvizjes Studentore Shqiptare të Dhjetorit 1990, vlerësoi lart betejën për liri e demokraci të ish-studentëve si dhe i bëri thirrje rinisë së sotme : “Të mos e lejojë demokracinë të merret peng, të bjerë në rutinë, të bëjë vendnumëro apo hapa prapa! “
Presidenti Nishani vlerësoi me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” Lëvizjen studentore shqiptare 1990-91, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi të lartë ndaj kontributit të çmuar historik kombëtar, veprimtarisë së spikatur për liri dhe demokraci dhe arritjeve të patjetërsueshme të aspiratave mbarëpopullore si: fitorja e pluralizmit politik, shembja e diktaturës, rrëzimi i miteve të rreme të komunizmit dhe shmangia e luftës civile dhe ringjallja e shpresës. Me mirënjohje të thellë për ruajtjen e pastër dhe të pandryshueshme, konsolidimin e mëtejshëm dhe përçimin e vlerave atdhetare dhe fisnike të kësaj Lëvizjeje Studentore tek brezat e rinj shqiptarë”.
Kreu i shtetit çmoi në mënyrë të veçantë ish-kryeministrin Sali Berisha me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” me motivacionin: “Shpirtit liridashës që iu bashkua dhe përcolli që në momentet e para frymën e lëvizjes mbarëpopullore demokratike në vitin ’90 që solli përmbysjen e regjimit më diktatorial e çnjerëzor komunist. Për rolin e tij udhëheqës në orientimin, përparimin dhe forcimin e idealeve dhe parimeve të sistemit demokratik në rrugëtimin e Shqipërisë drejt familjes së madhe euro-atlantike”.
Po në këtë pritje, Presidenti i Republikës solli ne vëmendje dhe çmoi me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, Musine Kokalarin (pas vdekjes) me motivacionin: “Në shenjë nderimi suprem ndaj kontributit të saj të qenësishëm si themeluese e pluralizmit të mendimit dhe atij politik, duke emancipuar shoqërinë tonë në tërësi, si dhe gratë e vajzat shqiptare në veçanti.
Me mirënjohjeje ndaj vlerave të larta atdhetare si dhe veprimtarisë së spikatur e të shumanshme kulturore e politike, të shpalosur përgjatë gjithë jetës së saj, deri në sakrifikimin sublim për idealet dhe parimet e patjetërsueshme të një intelektualeje me mendësi vërtet të përparuar evropiane”.












