Një mur i ri izolimi e pret Shqipërinë në rast se dështon reforma në drejtësi, paralajmëruan sot Ambasadori amerikan Donald Lu dhe Ambasadorja e BE Romana Vlahutin në një takim të zhvilluar me gazetarë të njohur në vend.
Qëllimi i takimit të dy diplomatëve të rëndësishëm me përfaqësuesit e medias që kanë ndikim në opinionbërje ishte njohja me faktin se SHBA dhe BE qëndrojnë pas propozimeve për reformën në drejtësi, përmes OPDAT dhe EURALIUS, si dhe kërkesa drejtuar medias që të informojë opinionin publik shqiptar mbi rëndësinë e kësaj reforme.
Lu dhe Vlahutin ishin të drejtpërdrejtë në pasojat që do të ketë vendi në rast dështimi të reformës por edhe në efektin boomerang që do të ketë për ata që nuk do ta miratojnë.
Ambasadorët i kërkuan medias të kontribuojë në përcjelljen e rëndësisë së këtij proçesi që synon pastrimin e sistemit gjyqësor nga elementët e korruptuar si dhe shprehën gatishmërinë ti kërkojnë ndihmë shoqërisë civile të organizojë një marshim paqësor për reformën në drejtësi, si një mesazh drejtuar politikës e cila duhet ta përfundojë këtë proçes sa më parë.
Ambasadorët kanë bërë me dije se SHBA ka përgatitur edhe një projektligj për Byronë Kombëtare të Hetimit për të cilën kanë marrë edhe konsensusin e dy partive kryesore në vend dhe presin miratimin, sëbashku me ligjin e dekriminalizimit.
Një izolim i ri i Shqipërisë nga ndërkombëtarët dhe bakstisje e investitorëve të huaj do të jetë fati i vendit në rast se reforma në drejtësi nuk miratohet përsëritën Lu dhe Vlahutin në fund të takimit, i cili u zhvillua rreth orës 13:00, pikërisht në momentet kur po zhvillohej protesta e opozitës.












