Ndeshja Tërbuni-Bylisi 4-2 është konsideruar zyrtarisht nga Komisioni i Etikës në FSHF si e trukuar. Më në fund, pas tri seancave zvarritje për vendimin, dje Etika cilësoi fajtorë 6 lojtarë (4 të Bylisit dhe 2 të Tërbunit), ndërsa çuditërisht nuk u dënuan klubet apo drejtuesit e tyre.
Ja vendimi i djeshëm:
1.Lojtaret e KF “Terbuni”, Vilson Lila dhe Klodian Sulollari, per komplotim ne influencimin te rezultatit te ndeshjes KF “Terbuni “- KF “Bylis” te dates 18.11.2015, ne kundershtim me etiken sportive, denohet secili me 6 (gjashte) muaj pezullim nga aktiviteti, bazuar ne nenin 68/1 te KDS.
2.Lojtaret e KF “Bylis”, Kushtrim Mushica, Elton Basriu, Mariglen Shosha dhe Ahmet Haliti, per komplotim ne influencimin te rezultatit te ndeshjes KF “Terbuni “- KF “Bylis” te dates 18.11.2015, ne kundershtim me etiken sportive, denohet secili me 6 (gjashte) muaj pezullim nga aktiviteti,bazuar ne nenin 68/1 te KDS.
Nga burime pranë komisionit, mësohet se për dënimet ndaj lojtarëve janë marrë parasysh pamjet filmike të takimit.
Por panorama sport shkruan sot se ligji për rastin nuk është zbatuar i plotë, pasi futbollistët duhet të dënohen me pezullim dhe me gjobë nga 1.5 deri 3 milionë lekë. Gjoba nuk është vendosur, çka tregon se neni është interpretuar përgjysmë dhe rrjedhimisht është i pavlefshëm.
Abuzohet me faktin që nuk interpretohet neni 68.2, i cili është i lidhur domosdoshmërisht me rastin konkret. Nëse dënohet një futbollist për komplotim në influencimin e rezultatit, atëherë edhe klubi përkatës dënohet me gjobë 2 milionë lekë.
Një tjetër shkelje është se Etika dënon gjashtë futbollistë për trukim në një ndeshje, por e cilëson si të rregullt rezultatin e saj. I çuditshëm është fakti që komisioni nuk merr masa ndaj klubeve, futbollistët e të cilëve trukojnë ndeshje.












