Nëndrejtoresha e doganave Lula Njebza ka biseduar në telefon herë pas herë me bosin e kompanisë “Tea Construction & Petrol” Adrian Xhillari pavarësisht se ajo ka mohuar njohjen me të në pyetjet që i janë bërë nga prokuroria.
Organi i akuzës ka zbardhur tabulatet e bisedave telefoni mes Njebzës dhe Xhillarit duke rrëzuar alibinë e saj.
Zyrtarja e lartë ka urdhëruar përpilimin e dokumentave fallco dhe ndërkohë ka përfshirë në skemë të paktën 7 zyrtarë të tjerë të doganës mes të cilëve edhe drejtorin e doganës së Tiranës Mirarbër Teneqexhiu.
Një ditë më parë policia ka arrestuar 7 zyratrë të lartë të Doganave pasi gjykata e Fierit vendosi masën e arrestit me burg. Ata janë Lula Njebza, ish-zv/Drejtoreshë e Përgjithshme të Doganave; Mirarbër Teneqexhiu, ish- Kryetar i Doganës Tiranë, Alfred Bushi, ish- shefi i Akcizës; Adrian Alikaj, doganier akcize; Syrja Misiraj, doganier akcize; Ortenca Zorba, doganiere akcize; Elona Jareci, doganiere akcize. Këta dy të fundit janë me arrest shtëpie.
Arrestimi erdhi pas një hetimi nga prokurira ku rezultoi se kompania e shtetasit Xhillari ka marrë lejen nga autoritetet doganore për të transportuar naftën “virxhin” në pronësi të kompanisë së tij, nga depot e Mëzezit, Tiranë, për në depot pranë rafinerisë së përpunimit të naftës, në Ballsh.
Por, rezulton se kjo sasi nafte (4.4 milionë litra), e cila nuk lejohet të dalë në treg pasi është e cilësisë bruto, nuk ka mbërritur në depozitat në Ballsh, por është shpërndarë nëpër pika karburanti në qytete të ndryshme të Shqipërisë, duke u shitur në treg të lirë. Krahas pasojave shumë të mëdha në mjetet e qytetarëve, “zhdukja” e kësaj sasie të madhe nafte, i ka shkaktuar shtetit një dëm që llogaritet në mbi 2 milion euro nga shmangia e pagimit të akcizës.
Prokuroria e Fierit, në vijim të hetimeve të saj, ka konstatuar se “zhdukja” e 4.4 milionë litrave naftë “virxhin” të “Tea Construction & Petrol” është realizuar edhe për shkak se zyrtarët e doganave që kishin për detyrë të regjistronin lëvizjen e sasisë së karburantit nga Mëzezi në Ballsh dhe të monitoronin depozitimin e saj në depot përkatëse, nuk e kanë kryer aspak detyrën e tyre.











