Hysen Sinani, një shkrimtar i persekutuar nga komunistët kërkon sot që duhet të hapje dosjet për Lidhjen e Shkrimtarëve. Ata kanë qenë më të robëruarit dhe më servilët e kampit socialist, thotë ai në një intervistë për gazetën “Shekulli”. Hysen Sinani, ka drejtuar Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve për disa vite pas përmbysjes së komunizmit.
Gjatë vitit 2007 nisët të hapnit procesverbalet e njohjes së shkrimtarëve..?
…Gjë më të bukur sesa procesverbalet e Lidhjes nuk ka. Por vetë shkrimtarët në përgjithësi nuk e donin hapjen e dosjeve. Për shembull, nga 60 deri në 100 blloqe 1-vjeçare, një bllok kishte 64 fletë, pak a shumë blloku 1-vjeçar i mbledhjeve të kryesisë bëhej një herë në muaj. Unë kam gjetur si kryetar i Lidhjes 12 prej tyre, domethënë 50-60 të tjerë ishin zhdukur. Kur kam pyetur sekretaren, e cila ka qenë gjithë kohës atje, më tha: I marrin, janë të interesuar, herë njëri dhe herë tjetri. Sigurisht që i kanë marrë pasi mbaroi kryesimi i Dritëro Agollit dhe i Miço Kallamatës, në kohën e Limoz Dizdarit dhe Bardhyl Londos, nuk e di nëse kishin mbetur, që të jem i sinqertë, por kur shkova unë ishin vetëm 12.
Por nga këto 12 blloqe çfarë botuat?
Nga këto të dymbëdhjeta shfrytëzuam dy. Njërën e shfrytëzova unë në një mbledhje kryesie për shfaqjet e huaja. Në të përshkruhej sesi Dhimitër Shuteriqi, një nga revolucionarët themelues të organizatës, i cili në përshtypjet tona ishte një njeri i rreptë i vijës së Partisë në kulturë, ai ishte më tolerant dhe më i çliruar në mbledhjen e kryesisë për shfaqjet e huaja. Më i rreptë aty dilte Dritëro Agolli, i cili ishte kuadër i ri i Partisë. Ai ishte dërguar atje si sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve. Nëpërmjet mbledhjes së bukur të kryesisë Shuteriqi thotë: Ne nuk kemi gjëra të kësaj natyre, janë disa poezi të Moikom Zeqos e ndonjë tjetër, por nuk kemi. Dritëroi thotë: Jo ne kemi, te ne janë të mbledhura më shumë. Ne i përcjellim te masat. Atëherë kryetari i vjetër komunist, i lë vendin kryetarit të ri komunist dhe ecën përpara revolucioni, Partia triumfon etj.
Po Ismail Kadare a ishte pjesë e këtyre grupimeve?
Në çdo grupim komunist ishte Ismail Kadare. Nuk ka mbledhje kryesie që mos të ketë qenë ai. Nuk është agresiv, në përgjithësi është i ekuilibruar. Por aty kanë qenë vetëm 12 mbledhje të kryesisë, po 50 të tjera ku janë? Nëse del sot të thotë se duhet të hapjen dosjet, ai duhet të ishte lodhur duke e thënë këtë. Kujt i duhen dosjet? Po vdesin të gjithë. Më i riu që ka qenë në Lidhjen e Shkrimtarëve kam qenë unë, 23 vjeç. Por ata kanë filluar të vdesin të gjithë, po bëhem gati dhe unë për të vdekur, po bëj amanetet e fundit.
Sipas jush, cili ka qenë procesverbali më i rreptë?
Procesverbali më i rreptë dhe më i egër nga ato procesverbale që mbaj mend unë është ai që kanë bërë për Koço Kostën. Ai bëri një novelë. Por në novelën e tij binte era speca. Nja dy njerëz që shiheshin përditë, që dukeshin sikur shiheshin me përzemërsi e që ndoshta mund të ishin edhe me prirje homoseksuale. Kjo ishte hata e jashtëzakonshme. Por ta dëgjoje atje ai thoshte që Kristaq Ramën, ta zhdukim e ta vrasim, e të shkojë atje. Këta të arteve edhe të muzikës ishin më agresivë, jo më shkrimtarët lidhur me një shkrimtar. Tani nuk duan që t’i hapin dosjet. Këto janë dosjet e tyre dhe të baballarëve të tyre, të tezeve, por edhe të dashurave të tyre.












