Foto Ilustruese
Nga ana e Seksionit për Krimin Ekonomik Financiar në Drejtorinë Vendore Policisë Tiranë në kuadër të Planit Operacional “Opson V” është zhvilluar operacioni policor “Detergjenti”, në kuadër të të cilit është bërë arrestimi në flagrancë i dy personave. Aksioni që është zhvilluar dje, mësohet se ka vënë në pranga, Vangjel Spiro, 46 vjeç dhe Blerim Abazaj, 44 vjeç, të dy lindur dhe banues në Tiranë.
Burimet zyrtare të drejtorisë së policisë së Qarkut ët Tiranës, sqaruan e arrestimi i këtyre personave u bë pasi nga ana e Seksionit për Krimin Ekonomik dhe Financiar ne Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë disponoheshin informacione dhe të dhëna në lidhje me veprimtarinë e kundërligjshme të këtyre personave në fushën e prodhimit të detergjenteve të falsifikuar. Mbi bazën e këtyre informacioneve nga ana e Policisë më datë 24. 11. 2015 është organizuar puna dhe këta shtetas janë kapur ne flagrancë në garazhin e një pallati duke ambalazhuar detergjente të falsifikuar me logon “Ariel” dhe me pas i tregtonin këto detergjente si origjinale.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga ana e Policisë janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale këto produkte dhe sende , tre fuçi 200 kg me detergjente, një sasi detergjenti të ambalazhuar , një peshore elektronike, si edhe disa pajisje për ambalazhimin e produkteve
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale të ‘’Shkelja e të Drejtës së Pronësisë Industriale”, “Fshehja e të Ardhurave” , “Falsifikim i Vulave, Stampave ose i Formularëve dhe Prodhim i Kundërligjshëm i Artikujve dhe Mallrave Industrial dhe Ushqimor’’ parashikuar nga nenet 149/a, 180, 190 dhe 288 të Kodit Penal.












