Piloti rus që shpëtoi gjallw nga avioni i rrëzuar prej forcave turke në kufirin sirian tha se nuk ka marrë asnjë paralajmërim përpara se të goditeshin.
Por kjo deklaratë e tij është përgënjështruar nga autoritetet Turke që kanë publikuar një audio ku dëgjohet paralajmërimi ndaj avionit rus përpara se të qëllohej.
“Ju flet forca ajrore turke. Po i afroheni hapësirës ajrore turke. Ndryshoni drejtim menjëherë”, dëgjohet në audion e publikuar nga autoritetet Turke. Duke folur për televizionin Rus Konstantin Murakhtin tha me bindje të plotë se avioni që drejtohej nga ai në asnjë mënyrë nuk e ka shkelur hapësirën ajrore Turke.
Ndërsa, autoritetet ruse bënë të ditur se Murakhtin u shpëtua nga një operacion 12-orësh ku janë përfshirë dhe forcat speciale. Nuk është akoma e qartë se çfarë ka ndodhur me trupin e ndihmës-pilotit i cili u vra me armë zjarri, pasi u ul me parashutë në një zonë që kontrollohet nga rebelët sirianë.












