Kamerat e bankës ku Jonida Fero, pretendonte se tërhoqi paratë e grabitjes së sajuar, zbuluan mashtrimin e financieres.
Në deklarimin paraprak para oficerëve të policisë, 29-vjeçarja Jonida Fero ishte shprehur se grabitësi i kishte marrë çantën ku kishte 3 milionë lekë (të rinj). Sipas saj, këto para ajo i kishte tërhequr disa ditë më para nga një bankë e nivelit të dytë që ndodhet te Rruga e Elbasanit në Tiranë.
Por, nisur nga këto deklarime, oficerët e policisë janë vënë në lëvizje për të provuar vërtetësinë e ngjarjes, por edhe të shumës që ajo pretendonte se i ishte grabitur. Fillimisht janë këqyrur pamjet e kamerave të sigurisë së Bankës së Shqipërisë, ku ajo pretendonte se ishte sulmuar me thikë dhe grabitur.
Nga verifikimi i kamerave, nuk rezultonte e vërtetë ngjarja e denoncuar, pasi e dëmtuara shfaqej në të gjitha këndet e vetme dhe asnjë person nuk i afrohej për ta sulmuar apo grabitur.
Më pas oficerët janë paraqitur te banka ku ajo pretendonte se kishte tërhequr paratë. Edhe aty ka rezultuar inskenim që më vonë u pranua edhe nga e dëmtuara, e cila tha se gjithçka e kishte programuar, në mënyrë që të dukej sikur kishte tërhequr para.
Në fakt, punonjësit e bankës kanë treguar se ajo kishte qenë aty në datën e caktuar, por kishte hapur një numër llogaria, pa depozituar asnjë shumë parash.












