Shoqata Dentare Shqiptare është kundër ndryshimeve ligjore, të cilat parashikojnë pagesën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për stomatologët mbi bazën e pagës maksimale, që aktualisht është 97 030 lekë. Përmes një shkrese që mban datën 24. 11. 2015 drejtuar Kuvendit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Financave kërkohet mosmiratimi i këtij projektligji. Ndërkohë që, përmes argumenteve të sjella, theksohen pasojat që do të sjellë miratimi i tij në sektorin stomatologjik, ku më të rëndësishmet janë papunësia dhe ulja e aksesit të këtij shërbimi shëndetësor nga qytetarët, si dhe rritja e çmimit të shërbimit.
“Është e pritshme që do të ketë edhe rritje të menjëhershme të çmimeve për shërbimin stomatologjik për të përballuar këtë rritje të re të shpenzimeve, çmime të cilat edhe kështu janë jo të përballueshme për xhepat e të gjithë shqiptarëve, edhe pse janë shpesh 10 apo 15 herë më të ulëta se çmimet në vendet perëndimore për të njëjtin mall dhe shërbim që ne ofrojmë”, thuhet në letrën e stomatologëve drejtuar Parlamentit, si guruar dhe botuar nga “Gazeta Shqiptare”.
Po ashtu, në letër theksohet se propozimi rrafshon të gjitha dallimet endemike që ekzistojnë në vetë sektorin stomatologjik në termat e përvojës, shkallës së kualifikimit, investimi i mëparshëm dhe i vazhdueshëm, vendi i ushtrimit aktivitetit etj., çka do të thotë se të gjithë, pavarësisht aktivitetit dhe mundësive ekonomike të ndryshme do të paguajnë duke iu referuar pagës maksimale.
Letra e Shoqatës Dentare Shqiptare drejtuar institucioneve të larat shtetërore
Projektligjin, për arsyet që do t’i elaborojmë më poshtë, ne si shoqatë e vlerësojmë në cenim të hapur të parametrave të shërbimit stomatologjik, në dëm afatgjatë të standardeve të këtij shërbimi dhe për rrjedhojë edhe të interesit të popullatës. Në relacionin përkatës, qeveria argumenton se statusi ekonomik i profesioneve të lira nuk mund të barazohet me të vetëpunësuarit e tjerë. Përveç se ky vlerësim shpreh një mosnjohje të plotë të realitetit të funksionimit dhe operimit aktual të sektorit të stomatologjisë, ky trajtim i diferencuar parimisht krijon shtrembërim në kontribute mes një të vetëpunësuari dhe një të punësuari, që merr një pagë të caktuar për ushtrimin e profesionit si i punësuar në një subjekt tatimor. Pavarësisht racionalitetit të mësipërm, në gjykimin tonë janë arsye dhe motive të tjera, që në thelb e perceptojmë këtë ndryshim legjislativ si të paargumentuar, të pambështetur ligjërisht, joefiçent dhe tepër virtual në zbatimin e tij praktik.
I. Arsyet që lidhen me mënyrën e funksionimit dhe impaktit të shërbimit stomatologjik
1.1 Shërbimi stomatologjik përmes këtij ndryshimi legjislativ trajtohet thjesht si biznes apo problem ekonomik, duke lënë në hije plotësisht aspektin social dhe shëndetësor të tij. Ai kryen një shërbim me impakt të padiskutueshëm mbi shëndetin e njerëzve, pasi nga ky shërbim përfitojnë mbi 90% e popullsisë. Për rrjedhojë, lipset që të krijohen të gjitha premisat që ky shërbim të kryejë normalisht aktivitetin e tij, në mënyrë që të gjitha shtresat e popullsisë të kenë akses në këtë shërbim dhe të respektohet parimi kushtetues sipas të cilit, të gjithë shtetasit kanë të drejtë të marrin shërbim shëndetësor të barabartë. Ndryshimi legjislativ i propozuar i frenon këto premisa.
1.2 Projektligji i propozuar rrafshon të gjitha dallimet endemike që ekzistojnë në vetë sektorin stomatologjik në termat e përvojës, shkallës së kualifikimit, investimi i mëparshëm dhe i vazhdueshëm, vendi i ushtrimit aktivitetit, etj. Sipas projektit të propozuar, duhet që të gjithë, pavarësisht aktivitetit dhe mundësive ekonomike të ndryshme të paguajnë duke ju referuar pagës maksimale. Ndërkohë që nëse marrim si shembull një klinikë stomatologjike e kualifikuar si biznes i vogël, për vitin 2015 realizon të ardhura nën 2 milionë, apriori klasifikohen si punonjës me pagë maksimale, pa marrë në konsideratë të ardhurat reale të kësaj klinike. Për rrjedhojë, nuk mund të merret si referencë paga maksimale pa vlerësuar fillimisht xhiron e një kabineti dentar. Kjo pagesë mund të jetë referencë për drejtuesin teknik në rastin e një klinike dentare me disa mjekë të punësuar dhe shumë shërbime, por në asnjë rast në një kabinet të vogël me të vetëpunësuar.
1.3 Stomatologët shesin shërbimin e tyre, por që lëndën e parë e blejnë në tregun perëndimor, me çmime perëndimore dhe shërbimi jepet me çmime shqiptare, pra të përballueshme nga pacientët tanë. Kjo diferencë rëndon direkt mbi stomatologët. Shumica e aktiviteteve të stomatologëve kryhen në lokale me qira, të cilat për shkak të performancës janë cilësore e me qira të lartë. Pajisjet dhe aparaturat që ato blejnë dhe rinovojnë janë me mijëra euro dhe kryesisht merren në tregun perëndimor, pra me tarifat e tyre, pasi dihet që ky është një nga profesionet më të kushtueshëm. Po ashtu armata e specialistëve bën përpjekje të mëdha për kualifikimin e mëtejshëm dhe edukimin në vazhdim, ndjek konferenca e aktivitete edhe jashtë vendit e blen literaturë dhe të gjitha këto rëndojnë direkt mbi biznesin. Për rrjedhojë, tarifa të tjera shtesë përveç se e vendosin biznesin në kushtet e mbijetesës, nxisin në fund të ditës falimentimin e tij.
II. Pasojat rezultuese nëse projektligji miratohet
2.1 Shtesa e pagesës për kontributet do të sillte përkeqësim akoma më të madh të gjendjes dhe mbylljen të një numri të konsiderueshëm kabinetesh dentare. Mbyllja do të shoqërohej me rritje të papunësisë dhe një efekt social për individin, familjen dhe shoqërinë. Nga ana tjetër, kjo do të sillte një ndëshkim të pamerituar për një kategori individësh, të cilët kanë investuar për shkollim brenda dhe jashtë vendit.
2.2 Është e pritshme që do të ulet cilësia e shërbimit stomatologjik, pasi kabinetet duke dashur të ulin shpenzimet, do të tentojnë të blejnë materiale më të lira e jocilësore. Nga ana tjetër, kjo do të dekurajonte investimin në material cilësie dhe teknologji të re. Sigurisht në situata të tilla lulëzojnë sharlatanët e të paaftët, për pasojë do të ketë tendenca për mbi mjekime e shërbime të stimuluara etj. Pra, shërbimi stomatologjik pëson një dëmtim të pariparueshëm.
2.3 Është e pritshme që do të shkurtohen vende pune, pasi për të ulur shpenzimet do të hiqen punonjës. Kjo do të ishte një dëm i madh për të ardhmen afatgjatë të shërbimit dhe për mjekët e rinj, që jo të gjithë e kanë mundësinë që të hapin aktivitet të tyre dhe janë punësuar pranë disa klinikave të kolegëve më të vjetër, ku startojnë edhe fillesat e kualifikimit të tyre. Në një analizë krahasuese dëshirojmë të theksojmë se jo më larg, por në Maqedoni, për punësimin e një punonjësi të ri shteti subvencionon 3000 euro dhe po ashtu 3 vitet e para i paguan vetë siguracionet për të. Kështu bëhet ortak me biznesin për punësimin e të rinjve.
2.4 Është e pritshme që do të ketë edhe rritje të menjëhershme të çmimeve për shërbimin stomatologjik për të përballuar këtë rritje të re të shpenzimeve, çmime të cilat edhe kështu janë jo të përballueshme për xhepat e të gjithë shqiptarëve, edhe pse janë shpesh 10 apo 15 herë më të ulëta se çmimet në vendet perëndimore për të njëjtin mall dhe shërbim që ne ofrojmë. Pamundësia reale e qytetarit për të përballuar koston e shërbimit do të sillte ulje të aksesit të shërbimit dhe rritje të prevalencës së sëmundshmërisë dhe të individëve pa dhëmbë në gojë. Kjo është një kosto për individin dhe shoqërinë. Në këto kushte, ekziston rreziku real që jo vetëm të demotivohet ushtrimi i profesionit të stomatologut, por edhe të deformohet iniciativa e lirë dhe rezultatet e ushtrimit të kësaj veprimtarie në krahasim me fusha të tjera të të bërit biznes në vendin tonë. Ne kërkojmë përfundimisht mosmiratimin e këtij projektligji.












