Në një letër që ambasada ruse i ka nisur Gazetës Shqipëtare si ankesë ndaj 4 artikujve të fundit të Shaban Muratit lidhur me gjeopolitikën ruse në rajon, ndër të tjera thuhet se ka qënë Serbia që ka kërkuar armatosjen me raketa nga Rusia.
Ja cfarë shkruhet në letrën e ambasadës:
“Artikulli “Ballkani me ëndrra, Serbia me raketa ruse” ka si bazë një ide të thjeshtë se Rusia gjoja po e armatos Serbinë me armë ofensive dhe po krijon një mburojë antiraketore në Ballkan, gjë që sjell destabilizim në rajon. Arsyetimet e tij zoti Murati i bazon tek artikulli i publikuar në një gazetë ruse “Vzgljad” të dt. 30 tetor 2015.
Duke cituar “Vzgljad”-in, autori shkruan se: “çështja mbi krijimin e mburojës raketore të një tipi të ri është bomba e vërtetë e aftë të shpërthejë opinionin publik në Republikën e Serbisë”, dhe pastaj flet për kontratat e furnizimit me armatime të tjera.
I jemi sinqerisht mirënjohës zotit Murati që u referohet edhe burimeve ruse. Kjo, për fat të keq, në gazetarinë shqiptare ështe një gjë e rrallë. Por, mesazhi kryesor i artikullit të gazetës “Vzgljad” nuk dimë pse nuk u përçua kurrë. Në fakt ky mesazh del në vetë titullin e artikullit: “Vizita e Kryeministrit serb në Rusi është nxitur nga kërcënimi ushtarak nga ana e NATO-s”.
Sipas gazetës, nga ku zoti Murati ka nxjerrë vetëm citate që i kanë shkuar për shtat, riarmatosja e Beogradit është frymëzuar nga riarmatosja në shkallë të gjerë e disa vendeve fqinje të Serbisë, të cilat ndër të tjera, marrin nga anëtarët e NATO-s armë raketore taktiko-operacionale, duke i çuar sfidat ushtarake rajonale në një fushë deri tani të paprekur. Por këto arsyetime të gazetës ruse autori ia fsheh lexuesit të tij dhe në këmbim i imponon atij mendimin se gjoja Rusia ka qenë iniciatore e kësaj marrëveshjeje.
Megjithëse bisedimet rreth bashkëpunimit ushtarako-teknik Rusi-Serbi u mbajtën me dyer të mbyllura dhe rezultatet e tyre nuk u publikuan zyrtarisht, autori deklaron se Serbia po armatoset me armë ofensive ruse. Lidhur me këtë, përmenden sistemet e mbrojtjes kundërajrore, të cilat janë njëqind përqind armë mbrojtëse, si dhe disa sisteme antiraketë që autori me këmbëngulje i paraqet si një sistem i mbrojtjes antiraketore ruse në Ballkan, duke e krahasuar atë me mbrojtjen antiraketore amerikane që planifikohet të instalohet në Evropën Lindore. Por kjo në thelb nuk ka asgjë të vërtetë. Në gazetën ruse, nga e cila autori ka marrë informacion për artikullin e tij, bëhet fjalë për mjete të mbrojtjes antiraketore me karakter taktiko-operacional, në të njëjtën kohë kur mbrojtja antiraketë amerikane është e karakterit strategjik dhe minon parimin bazë të ekuilibrit strategjik bërthamor – parimin e asgjësimit të garantuar reciprok.
Kurse Serbia, nga ana e saj, dëshiron vetëm të disponojë mjete të mbrojtjes së qiellit të saj dhe të sigurohet nga sulmet e mundshme ajrore dhe raketore, aq më tepër kur jo shumë kohë përpara, populli serb i përjetoi bombardimet e NATO-s dhe kujtimet janë ende të gjalla. Çfarë ka këtu agresive apo ofensive? Me se i kërcënon kjo vendet e rajonit?”.
Një ambasadë mund të shpjegojë qëndrimin e saj ndaj komenteve të ndryshme edhe mund të përgenjështrojë ndonjë lajm të pavërtetë, por letra e ambasadës përbën një precedent pasi i kundërvihet 4 komenteve të cilat në fund të fundit janë pikëpmaje e autorit. Kur lexojmë Muratin e dimë se cfarë mendon, por pasi lexon letrën nuk jemi në gjendje të kuptojmë se cili është qëndrimi i ambasadës për cështjet e ankimuara.











