Debati i Shkodrës për zgjedhjen e drejtuesve të rinj të FRPD u zhvillua sot në Teatrin Migjeni me një pjesëmarrje masive të rinisë së qytetit djep të demokracisë. I ngarkuari i kryesisë së Partisë Demokratike, Kadilli përshëndeti këtë konvente në fillim të këtij takimi.
“Ndjej si privilegj që jam këtu në këtë Konvente kaq energjike, në këtë Konvente të shpresës dhe demokracisë. Në Shkodër më shumë se kudo, fjala shpresë ka më shumë kuptim. Sepse këtu në Shkodër, prindërit tuaj, prindërit e prindërve tuaj mbajtën ndezur shpresën edhe në mes të territ komunist. Në këtë sallë, 25 vjet më parë ishte një student, Azem Hajdari që shpalli triumfin e shpresës ditën që u themelua dega e PD. Sot, ju jeni ata që keni mundësinë të formësoni bashkë me kandidatët që duan të prijnë forumin, bashkë me Kryetarin Basha, për të ndërtuar ëndrrën për një Shqipëri të zhvilluar”, tha Kadilli.
Në vijim, kandidatët paraqiten platformat dhe idetë e tyre për një angazhim maksimal të të rinjve në politikë, në veçanti të të rinjve demokratë.
Në përfundim të votimit për kreun e FRPD, Belind Këlliçi doli të fitues në Shkodër me një diferencë prej 400 votash më shumë përballë kandidatit tjetër për kreun e Forumit Rinor të Partisë Demokratike Ervin Salianji, i cili vijon të kryesojë garën.
Pas Konventës së Shkodrës, qyteti i radhës ku do të ndalen tre kandidatët është Berati, ku mbi 1 000 të rinj anëtarë të FRPD, do të votojnë për kryetarin e ardhshëm të forumit rinor.
Votimi në Shkodër
Belind Këlliçi 809 vota
Ervin Salianji 397 vota
Oriela Nebijaj 88 vota
Të pavlefshme 11 vota












