“Këto dokumente, që peshojnë me kilogramë, janë pirgu i tenderëve të Ilir Beqës për Vilma Nushin.
Nuk janë letra, as dokumente tenderi, janë në të vërtetë sëmundja e shëndetësisë tonë. Këta janë milionat që Ilir Beqja i ka dhënë Vilma Nushit për blerje ilaçesh. Këto janë paratë që pasurojnë shoqen e partisë socialiste. Prej dy vitesh Ilir Beqja shpall fituese kompaninë TRIMED. Nëse shfletoni këto faqe tenderësh, ju do shihni këtë emër. TRIMED, TRIMED fituese. TRIMED, firma e shoqes Nushi, ka fituar pafundësisht tendera, në ministri, në spitale, në Tiranë në rrethe”, ka denoncuar sot publikisht, Grida Duma, Sekretare për Marrdhëniet me Publikun në PD.
Mes shifrash, Duma ka dhënë më pas shuma të konsiderueshme, që në mënyrë abuzive i janë dhënë, sipas saj, donatores së PS-së.
“Shuma e përfituar është mbi 2 milionë e 100 mijë euro. Një pjesë e mirë, e këtyre milionave është marrë pa tender. Paratë janë marrë me negocim. Donatorja e Partisë Socialiste, mikja e Edi Ramës ka grabitur fonde që mund të shpëtonin jetë njerëzish. Edhe pse kjo zonjë ka dorë kudo, në dogana, në mobilime zyrash, edhe pse mori koncesionin e chek-up prej 120 milionësh, mikes së kryeministrit i duheshin dhënë edhe ca miliona të tjera me ilaçet”, vijoi në denoncimin e saj, Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PD.
Për Dumën, ky është shteti i krimbur në korrupsion, ku shëndetësia është kanceri i shtetit.
“Ky është shteti i Edi Ramës. Shtet i krimbur në korrupsion. Shëndetësia e Beqajt është vetë kanceri i shtetit. Shëndetësia e Edi Ramës, shëndetësia e Beqajt është ajo urgjenca ku shoferi i ambulancës braktis fëmijën e vdekur. Ku mjeku roje u thotë pacientëve ‘më besoni nuk na vijnë mjekët’. Ky pra është shteti i Edi Ramës. Shteti kanceroz i korrupsionit. Shteti që të vjedh edhe në sëmundje”, përfundon denoncimi i Grida Dumës.












