PD ka reaguar për dhunën fizike ndaj kreut lokal të saj në Sarandë, Hariz Mema. Duke i uruar shërim, kreut demokrat të Sarandës, PD kërkon arrestimin e autorëve, vënien e tyre para drejtësisë si dhe zbardhjen e motiveve dhe porositësve të këtij akti të ulët banditesk.
“Partia Demokratike dënon me ashpërsinë më të madhe sulmin banditesk ndaj kryetarit të Degës së Sarandës z. Hariz Mema. Ne i kërkojmë autoriteteve të rendit dhe prokurorisë të veprojnë pa asnjë vonesë për arrestimin e autorëve të këtij krimi të shëmtuar dhe për vënien e tyre para drejtësisë si dhe zbardhjen e motiveve dhe porositësve të këtij akti të ulët banditesk. Partia Demokratike i uron shërim të shpejtë z. Mema dhe shpreh solidaritetin e saj të plotë njerëzor dhe politik me të dhe familjen e tij. Dhunuesit dhe porositësit e këtij sulmi do të japin llogari deri në një”, thuhet në deklaratën e PD-së.











