Pronari i lokalit “muraga” në të cilin mbeti i vrarë me një plumb në kokë 30-vjeçari Enton Nikaj pranon se është përfshirë rastësisht në këtë ngjarje.
Gjatë dëshmisë së dhënë para hetuesve, Ismet Gaxheri ka pranuar se nuk i ka borxhe autorëve që ishin pjesë në këtë ngjarje, përfshirë edhe njërin prej autorëve kryesorë të akuzuar për vrasjen e Nikajt, Ervis Martinajt.
Ismet Gaxheri ndodhet i shtruar në spital jashtë rrezikut për jetën, pasi u plagos pak ditë më parë gjatë atentatit në lokalin e tij në Linzë, pranë zonës së Dajtit.
“Ata e kishin me Nikajn, tek ai u drejtuan. Unë ndërhyra për t’i ndarë”, ka thënë Gaxheri për hetuesit.
Ai ka pranuar se ishte në Tiranë dhe rreth mesditës ka qenë së bashku me Enton Nikajn, tek sa ishin drejtuar te lokali i tij në Linzë.
Pronari i lokalit ka thënë se në momentin kur zbriti nga automjeti me Nikajn, katër personat që tregohen edhe në pamjet filmike të publikuara pak ditë më parë, u drejtuan nga viktima, ndërsa gjatë konfliktit, ai ka thënë se Emiljano Tasho i ka vendosur pistoletën në kokë dhe më pas e ka qëlluar me qytën e saj.
Nga ana tjetër, edhe ish-polici Mirsad Kuçanaj ka pranuar se është përfshirë në ngjarje, por nuk ka pranuar se ka qëlluar me armë Enton Nikajn. Ai ka thënë se nuk ishte i armatosur në atë moment.












