Dy ditë nga sulmet në Paris, policia ka zbuluar gjatë hetimeve se kush ishin organizatorët e terrorit që tronditi gjithë botën.
Sipas hetimeve, dy vëllezërit Brahim dhe Salah Abdelsam, të dy rezidentë në Belgjikë janë personat që organizuan sulmet terroriste në Paris.
I pari, Brahim Abdeslam, lindur në vitin 1984, vrau veten me eksploziv në Bulevardin Volter. Ai figuron që të ketë marrë me qira automjetin tip “Seat” në Belgjikë.
Ndërsa i vëllai i tij, Salah Abdelsam, ka marrë me qira automjetin “Polo” të gjendur përballë teatrit Bataclan.
Abdelsam, që është 26 vjeç, është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi i ka shpëtuar ndjekjes së policisë. Ai është i armatosur dhe i rrezikshëm për rendin. Mendohet se po planifikon një tjetër sulm terrorist.
Hetimet tregojnë se vëllezërit Abdelsam blenë edhe armët që u përdorën për sulmet në Paris, ku mbetën të vdekur rreth 130 persona.
Gjithashtu, gazeta franceze “Liberation” ka zbardhur edhe identitetin e kamikazit 20-vjeçar që hodhi veten në erë në stadiumin “Stade de Francë”. Ai është Bilal Hadfi, lindur në vitin 1995, rezident në Belgjikë.












