Në një intervistë Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Brisilda Shehaj shpjegon mënyrën si është zhvilluar në terren aksioni masiv kundër informalitetit, si dhe rezultatet e deritanishme të tij. Gjithashtu ajo ka thënë se do të merren masa për një shqetësim të ngritur nga gjithë bizneset, që ka të bëjë me personat familjarë të paregjistruar për siguracion ne biznese, ajo ka thënë se do të hiqen penalitet ndaj tyre. Pra familjarët e pronarit do të punojnë në biznes pa siguracione. Kjo vlen për të gjitha bizneset familjare. Sipas kreut të tatimeve, janë kryer në total 103 mijë kontrolle, janë regjistruar 36 mijë biznese, si dhe më shumë se 80 mijë punonjës që punonin në të zezë.
Shehaj sqaron se tashmë është përgjysmuar numri i grupeve që operojnë në terren, ndërkohë që aksioni do të vazhdojë me verifikimin e punës së vetë tatimorëve, por edhe përmes provokatorëve, të cilët do paraqiten si konsumatorë të zakonshëm për të kuptuar nëse bizneset lëshojnë apo jo kuponët. Kreu i tatimeve sqaron gjithashtu si duhet të veprojnë bizneset për të shmangur dënimet përmes vetëkorrigjimit të të dhënave. /Shqiptarja.com












