“Nëse të tjerët kanë hapur negociatat dhe po negociojnë për anëtarësim, nuk janë asnjë centimetër më përpara nesh, përkundrazi, jemi në të njëjtin nivel, me një dallim që është se ne, reformën në drejtësi e kemi në embrion”.
Kësaj deklarate në formë ankese, të kryeministrit Edi Rama, Ambasadorja e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin, iu përgjigj “i tregoi vendin” kryeministrit shqiptar, se jo vetëm për reformën në drejtësi, por edhe bashkëpunimi dhe për më tepër integriteti i të zgjedhurve, janë parametra tregues që Brukseli e BE nuk kanë gabuar.
“Nuk besoj se Brukseli ka bërë gabim me Shqipërinë. Raportet bëhen në mënyrë individuale për secilin shtet. Shqipëria është pas në një pikë të vetme, në krahasim me vendet e rajonit dhe kjo pikë është reforma në drejtësi. Dhe ashtu siç e kemi përsëritur, reforma në drejtësi është kyçe për hapjen e negociatave. Pra, në vendet e tjera ku janë çelur negociatat, reforma në gjyqësor është më e avancuar”.
Ambasadorja e Bashkimit Europian dëgjoi për 27 minuta leximin që i bëri Kryeministri progres-raportit dhe tha se ka ende shumë punë përpara.
“ Veç prioriteteve është i rëndësishëm edhe integriteti i njerëzve që duan të mbajnë poste publike sikurse dhe veprime për konsolidimin fiskal dhe ekonominë informate”, tha ambasadorja.
Vlahutin e sheh progresin e Shqipërisë te bashkëpunimi mes të gjitha forcave politike për ta konkretizuar reformën në drejtësi.
“Bashkëpunimi politik mes partive është i rëndësishëm për të realizuar reformën në drejtësi. Shqipëria duhet të demonstrojë progres me synim krijimin e arritjeve solide në hetimet proaktive ndjekjet penale dhe dënimet përfundimtare kundër korrupsionit në krimin e organizuar në të gjitha nivelet”, shtroi Vlahutin.












