Shefi i Komisariatit Nr. 4 Fatmir Lleshi është pezulluar nga detyra , pas një incidenti të rëndë dhe akti dhune të ushtruar sot ndaj një grupi xhirimi të ABC News.
Burimet zyrtare të drejtorisë së Policisë së Qarkut të Tiranës, sqaruan se, “lidhur me incidentin e ndodhur sot në mesditë, ku u përfshi Shefi i Komisariatit nr. 4 në Tiranë dhe punonjësi i televizionit privat ‘ABC News’, Drejtori Policisë Vendore të Tiranës ka pezulluar nga detyra Shefin e Policisë deri në sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”.
Ngjarja ka ndodhur sot në mesditë, ndërsa grupi i xhirimit të ABC Neës ka qenë duke përgatitur një kronikë në një rrugë pranë këtij Komisariati, kronikë që nuk kishte objekt të saj policinë. Pas dhunës fizike dhe fjalëve fyese ndaj disa gazetarëve, shoferit dhe operatorit të ABC News, Dritan Peca, ky i fundit është shoqëruar pa asnjë shkak te komisariati Nr. 4 ku ndodhet ende i shoqëruar. Pas kësaj ngjarje, ABC News reagoi dhe kërkoi ndërhyrjen e menjëhershme të Drejtuesve të Policisë së Shtetit për këtë incident të paprecedent ndaj gazetarëve, hetim të menjëhershëm të kësaj ngjarje dhe shkarkim të shefit të komisariatit Nr. 4, Fatmir Lleshi.
ABC News kërkoi gjithashtu qe Prokuroria të hetojë për dhunën e ushtruar ndaj gazetarëve. ABC News bën të ditur se do të dorëzojë kallëzim penal në Prokurori ndaj shefit të Komisariatit nr. 4 të shoqëruar dhe me materiale filmike që tregojnë këtë incident të rëndë.
Shoqata e Gazetarëve Profesionistë dhe Lidhja e Gazetarëve dënojnë dhunën ndaj gazetarëve të ABC News dhe kërkojnë lirimin e operatorit të shoqëruar.
Edhe Shoqata e Mediave Elektronike i bashkohet qëndrimit të Gazetarëve Profesionistë dhe Lidhjes së Gazetarëve. Këto shoqata gazetarësh i kërkuan ministrit Tahiri shkarkimin e menjëhershëm nga detyra të shefit të komisariatit 4, Fatmir Lleshi.











