Dënimin me burgim të përjetshëm ka kërkuar Prokuroria për Sokol Mjacajn, vrasësin e dy turistëve çekë në Prekal të Shkodrës.
Gjatë seancën së sotme, pala e akuzës lexoi pretencën dhe duke theksuar se ka gjithë provat për fajësinë, kërkoi dënimin e autorit me burg përjetë.
Avokati mbrojtës kërkoi kohë për përgatitjen e mbrojtjes dhe gjykata vendosi që seanca e radhës të mbahet me datën 16 nëntor.
Një seancë më parë, Mjacaji kërkoi mëshirë trupit gjykues. “Unë doja vetëm t’i grabisja, nuk kisha qëllim t’i vrisja. Djalin e vrava pasi donte të më merrte armën, kurse vajzën e kapi plumbi në kohën që makina po rrokullisej”- tha ai.
Mjacaj e justifikoi krimin me gjendjen e vështirë ekonomike. Ai tha se nëna i ka vdekur, ka një vëlla më të vogël për të mbajtur dhe babanë e ka invalid. Ai u kërkoi falje gjithashtu familjeve të viktimave dhe ka përsëritur kërkesën për mëshirë nga ana e gjykatës.











