Këshilli Ekzekutiv i Konferencës Gjyqësore Kombëtare (KGJK), ka bërë të ditur se në përmbushje të detyrimeve Kushtetuese e Ligjore, vendosi të thërrasë mbledhjen zgjedhore të Konferencës Gjyqësore Kombëtare, në datën 14 dhjetor 2015.
Sipas këtij njoftimi të KGJK-së, mësohet se objekti i punimeve të kësaj konference do të jetë, zgjedhja e katër anëtarëve të rinj të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pas përfundimit të mandatit në të gjyqtarëve Dritan Hallunaj, Ilir Mustafaj, Flamur Kapllani dhe Tritan Hamitaj. Anëtarët e rinj, do të përzgjidhen nga kandidaturat që do të prezantohen nga gjykatat e rretheve gjyqësore.
Po kështu, KGJK bënë të ditur se objekt i kësaj mbledhje do të jetë edhe zhvillimi i votimeve për rinovimin e përbërjes së organeve drejtuese të KGJK., siç janë; Këshilli Ekzekutiv, Komisioni i buxhetit, Komisioni i etikës, verifikimit të mandateve dhe përmirësimit të vazhdueshëm profesional dhe Komisioni për marrëdhëniet me institucionet shtetërore, organizatat ndërkombëtare, mediat, organizatat jofitimprurëse dhe publikun.











