Janë bashkë për të ruajtur pushtetin. Kështu deklaroi sonte në Tv Klan, Lorenc Vangjeli, këshilltari i kryetarit të Parlamentit, Ilir Meta. Sipas tij dorëheqja e Nasip Naços nga posti i Ministrit të Drejtësisë është një gjest i zakonshëm politik.
Ndërsa lidhur me raportet Rama-Meta ai tha se “Nuk është dashuri por është interes, nuk është miqësi, por llogari. Këta dy burra janë bashkë prej pushtetit. Asnjëri as tjetri nuk do ta humbasë pushtetin”, tha Vangjeli.
Deklarata e këshilltarit të Metës se koalicioni funksionon vetëm për shkak të pushtetit si qëllim në vetvete shton edhe më shumë pikëpyetjet nëse PS-LSI kanë sëbashku një koalicion qeverisës apo një mekanizëm pushteti pa etikë.
Vangjeli njihet si një prej gazetarëve afër së majtës që që kundërshtoi aleancën PS-LSI por dhe si një kritik i madh i Metës pas koalicionit që ky i fundit bëri me Berishën në vitin 2009.












