Kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, në PD, Enkelejd Alibeaj, ka vijuar sërish sot me denoncimin e zhdukjes së provave, për disa dosje kriminale, pas aktit të qëllimshëm të djegies së Laboratorit Shkencor të Kriminalistikës.
Sipas Alibeajt, “djegia e provave brenda laboratorit është një nga krimet më të rëndë të dy dekadave të fundit. Pas denoncimit të këtij akti, Tahiri nxori si shkak një neon. Fakti është se sot mungojnë provat për 30 çështje penale, për 30 raste të trafikut të drogës. Kjo nuk mund të ndodhë veçse me urdhër dhe porosit të veçantë. Ka rregulla të caktuar dhe kamera për ruajtjen e provave. Thasët mbaheshin prej shtatë muajsh ndërkohë që kodi procedurës parashikon që analizat bëhen brenda 3 muajve”, denoncoi Alibeaj.
Sipas tij, ky akt i qëllimshëm tregon edhe rënien e shtetit dhe se Edi Rama dhe Saimir Tahiri janë të përfshirë drejtë për drejtë.
“Laboratori Shkencor Kriminalistik është siguria e shtetit, dëshmia e ekzistencës së shtetit. Kur bie ky, shteti nuk ekziston. Ekziston shteti tjetër i Edi Ramës, i mafies, i trafikantëve. Ky shtet shkon deri te eliminimi i provave të bandave kriminale. Edi Rama dhe Saimir Tahiri janë të përfshirë drejtë për drejtë në këtë krim të rëndë”, përfundoi denoncimin e tij Enkelejd Alibeja, kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD.
Deklarata e plotë e kreut të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj
“Djegia e provave për bandat e trafikut të drogës brenda laboratorit kriminalistik, është padyshim një nga krimet më të rënda shtetërore në dy dekadat e fundit.
Në fillim, Ministri u mundua ta fshehë si ngjarje.
Më pas kur opozita e denoncoi, pas shqetësimit që ngritën oficerët profesionistë e të ndershëm, Tahiri nxori si shkak një neon.
Por edhe kjo alibi u rrëzua.
Fakti është se sot mungojnë provat për 30 çështje penale, për 30 raste të trafikut të drogës.
Duke qenë një institucion kyç, i një rëndësie të veçantë, shkatërrimi i provave në këtë mënyrë nuk mund të ndodhë përveçse me urdhër e me porosi nga lart.
Ka udhëzim të veçantë policie për ruajtjen e këtij institucioni, ka kamera vëzhguese dhe siguri maksimale.
Por anomalitë janë shtuar kohët e fundit, dhe bimët narkotike mbaheshin në thasë deri në 7 muaj pa iu bërë ekspertiza, ndërkohë që Kodi Procedurës Penale thotë se aktet duhen bërë brenda 3 muajve.
Përpjekja për ta mbyllur si ngjarje, për ta cilësuar një defekt teknik, është një vërtetim më shumë se pas djegjes së provave për trafikantë e banda të rrezikshme në vend, qëndron Saimir Tahiri dhe Edi Rama.
Laboratori kriminalistik, aty ku ruhen provat, është siguria e shtetit. Është dëshmia e ekzistencës së shtetit.
Kur bie dhe kjo instancë kyçe për luftën ndaj krimit dhe për vendosjen e drejtësisë, atëherë shteti nuk ekziston.
Ekziston një shtet tjetër, ky i Edi Ramës, shtet kriminal.
Shtet i mafies, i trafikantëve.
Shiheni deri ku shkon shërbimi ndaj krimit, deri në asgjësimin e provave në laboratorin kriminalistik, që bandat e trafikantët ti shpëtojnë ligjit.
Kjo është një nga çështjet më serioze sot të vendit. Prokuroria duhet të bëjë hetime energjike, të plota e të pandikuara nga segmentet e qeverisë, nga Saimir Tahiri dhe Edi Rama, që janë vetë të përfshirë në këtë krim të madh”.












