Organi i akuzës ka zbardhur abuzimet dhe shkeljet e punonjësve të QKR-s së Fierit, të arrestuar pse merrnin ryshfet në këmbim të regjistrimit jashtë radhe të subjekteve të ndryshme.
Sipas Dosjes, mësohet se Prokuroria e Fierit ka nisur hetimin në fund të gushtit 2015, pas kallëzimit të disa shtetasve, të cilët kishin konstatuar se disa punonjës të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, Fier, dhe disa shtetasve të tjerë në shërbim të tyre, merreshin para për të përshpejtuar procedurat në sportelet e këtij institucioni.
Nga hetimi ka rezultuar se, sistematikisht, shtetas të ndryshëm, të njohur të personit nën hetim, Mehmet Muskaj, i kërkonin që ai të kryente shërbime në favor të tyre, jashtë radhe, duke i vënë në dispozicion emrat e subjekteve juridik apo personave fizik. Nga ana e personit nën hetim Mehmet Muskaj merrej përsipër kryerja e shërbimeve që kishin lidhje me detyrën e tij funksionale, duke kërkuar emrat e subjekteve dhe dokumentacionin përkatës t’i futej poshtë derës së punës. Gjithashtu, në disa raste, ka rezultuar se personat që kërkonin kryerjen me shpejtësi të shërbimit, i premtonin/tregonin personit nën hetim se së bashku me dokumentacionin do t’i jepnin dhe “kafen”, “njëzeçen”.
Gjithashtu, në funksion të hetimit ka rezultuar se, personat nën hetim Mehmet Muska dhe Martin Tahmazi për punën që kryenin ndaj qytetarëve të ndryshëm, merrte shuma parash që varionin nga 500-2000 lekë. Pas kryerjes së veprimit dhe marrjes së parave, punonjësit Mehmet Muska dhe Martin Tahmazi i ndanin paratë me njëri-tjetrin.
Po ashtu, nga hetimi është identifikuar shtetasi Ervin Kumanaku, i cili, për marrjen e shërbimit nga ana e shtetasit Mehmet Muskaj, i ka dhënë këtij të fundit para.
Gjithashtu, nga veprimet hetimore ka rezultuar se, në veprimtarinë kriminale shtetasi Mehmet Muskaj dhe Martin Tahmazi, mbanin në ambientet e tyre të punës dhe e përdornin për marrjen e parave nga qytetarët shtetasin Nexhat Kulla. Ky i fundit luante rolin e “sekserit”, për punonjësit e QKR-së Fier, duke marrë para nga qytetarët së bashku me dokumentet e aplikimit dhe duke ia dhënën këto të fundit personave nën hetim Mehmet Muskaj dhe Martin Tahmazi.
Në vijim ka rezultuar gjithashtu se shtetasi Zalo Mukaj ndërhynte sistematikisht tek punonjësi i QKR-së Mehmet Muskaj, duke kërkuar nga ky i fundit, që të kryej veprimet e sporteli të QKR-së për llogari të disa shtetasve. Ai herë pas here i dërgon emrat e personave fizik dhe juridik duke marrë më pas edhe aktet e kryerjes së këtyre shërbimeve (regjistrim subjekti, pezullim, çregjistrim, etj.) ose duke dërguar personat që i kanë kërkuar që t’i shkojnë t’i marrin tek personi nën hetim Mehmet Muskaj.
Arrest në burg
Bazuar sa më sipër, mbi bazën e kërkesës së prokurorit, Gjykatë e Rrethit Gjyqësor Fier, me vendimet e datës 07.11.2015, ka caktuar masën e sigurimit “Arrest me burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodi Procedurës Penale, për shtetasit:
Mehmet Muskaj, akuzuar për kryerjen e veprës penale ”Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” të parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.
Martin Tahmazi, akuzuar për kryerjen e veprës penale ”Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” të parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.
Ervin Kumanaku, akuzuar për kryerjen e veprës penale ”Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” të parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal.
Nexhat Kulla, akuzuar për kryerjen e veprës penale ” Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” të parashikuar nga neni 245/1 i Kodit Penal.
Zalo Mukaj, akuzuar për kryerjen e veprës penale ” Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” të parashikuar nga neni 245/1 i Kodit Penal.
Për më shumë mund të lexoni edhe …
Fier, Arrestohen 2 punonjës të QKR, merrnin lekë për regjistrim
/web/Fier_Arrestohen_2_punonjes_te_QKR_merrnin_leke_per_regjistrim_9586_1.php











