“Informacioni që unë kam është që studentët Anita Lushi, Bora Mema, Klodi Hoxha, Viki Çipi, Liri Kuçi, Durim Jashari, Dardan Konjuca dhe Valton Marku, aktivistë të Lëvizjes Studentore për Universitetet janë arrestuar dhe keqtrajtuar pas një demonstrimi që kanë bërë në dalje të Edi Ramës nga seminari me biznesin e vogël”, denoncoi sot kreu i PD-së, në daljen e tij para gazetarëve.
Duke konfirmuar mbështetjen e PD-së ndaj studentëve, kreu i PD-së, mohoi sipas tij, tentativën mediatike të qeverisë, për ti cilësuar studentët si mbështetës të PD-së, apo si vegla të kosovarëve.
“Së pari dua të them se Partia Demokratike dhe unë, kemi qenë jemi dhe do të jemi deri në fund në krah të studentëve, pedagogëve dhe prindërve kundër ligjit klientelist, korruptiv dhe primitiv për arsimin e lartë në Shqipëri. Së dyti dua të them që këta studentë nuk kanë asnjë lidhje politike me Partinë Demokratike. Ndërkohë që në këto momente që po flasim, pashë ashtu si para 25 vitesh, Ramiz Alia i akuzoi studentët si vegla të kosovarëve, edhe tani, Edi Rama dhe mediat e tij servile po i akuzojnë se, kjo është një lëvizje e frymëzuar nga parti politike në Kosovë. E vërteta sipas informacioneve që ka opozita është krejt tjetër. Kjo është një lëvizje kundër ligjit të klientelist e korruptiv për arsimin e lartë. Në mbështetje të universiteteve dhe këtu objektivat e studentëve dhe objektivat politike të Partisë Demokratike me të vërtetë bashkohen”, u shpreh Basha.
Më tej kreu i PD-së, ripërsëriti mbështetjen e PD-së, dirsa i kërkoi policisë të heqin dorë nga dhuna ndaj tyre.
“Ky është momenti por ti bërë një thirrje autoriteteve të rendit dhe të policisë që kanë qenë në kontakt me studentët, të hapin sytë për çdo abuzim me integritetin e tyre fizik apo psikologjik, me shkeljen e të drejtave të njeriut, do të përgjigjen një për një, nga punonjësi më i thjeshtë i policisë tek oficerët komandues. Hiqni duart nga studentët, bëni takimin sipas ligjit, respektojini të drejtat e tyre ligjore, kushtetuese, të drejtat e njeriut. Partia Demokratike qëndron pa ekuivok në mbështetje të studentëve, në kauzën e tyre të drejtë kundër ligjit klientelist dhe korruptiv për arsimin e lartë”, përfundoi deklaratën kreu i PD-së.
REAGIMI/ Policia: Ushtruar detyrën brenda normave dhe procedurave standarde
“Policia e Tiranës ka shoqëruar 8 persona pas incidentit të ndodhur mesditën e sotme, ku disa të rinj kanë qëlluar me objekte të ndryshme në drejtim të mjetit të Kryeministrit të Republikës.
Në zbatim të ligjit, Policia ka ndërhyrë menjëherë, së bashku me forcat e Sigurisë së Gardës së Republikës duke shoqëruar studentët në rajonin më të afërt.
Pas kësaj, 8 të shoqëruarit, janë dërguar në ambientet e Drejtorisë Vendore ku po merren në pyetje për rrethanat e ngjarjes.
Sqarojmë publikun se nga Policia e Shtetit nuk është keqtrajtuar askush, si dhe përgënjeshtrojmë çdo pretendim të cilësdo Partie politike që akuzon Policinë për ushtrim dhune ndaj protestuesve.
Policia e Tiranës ka ushtruar detyrën brenda normave dhe procedurave standarde të punës, duke angazhuar efektive femra policie për të kryer shoqërimin e femrave që u përfshinë në incident, si edhe forca të tjera për shoqërimin e të rinjve.
Theksojmë se gjatë shoqërimit nuk është përdorur në asnjë moment dhunë fizike.
Policia e Shtetit ka bërë detyrën, edhe në kushtet kur ndaj punonjësve të policisë që po bënin ndalimin e studentëve, disa të rinj u përpoqën fizikisht t’i ndalonin të zbatonin ligjin.
Ndërkohë po vijon marrja e tyre në pyetje deri në sqarimin e plotë të gjithë rrethanave të incidentit.
Policia e Shtetit thekson angazhimin për të garantuar të drejtat dhe liritë e çdo qytetari, përfshirë edhe qytetarëve që duan të protestojnë, por kjo mund të bëhet vetëm duke respektuar ligjin.
Shkelja e pretenduar e të drejtave, nuk bëhet kurrë duke shkelur ligjin”.











