Varri ku janë vendosur eshtrat e 4 klerikëve që kanë shërbyer në kishën e Shën Venerendës në Pllane të Lezhë është dhunuar nga persona ende të paidentifikuar. Autorët kanë menduar se në këto varre mund të gjendeshin sende me vlerë.
Dhunimi i këtij varri që në fakt ndodhet në hyrje të kishës ka ndodhur rreth një javë më parë, por Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Shkodër ende nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim.
Dhunimi i këtij varri është dënuar ashpër nga Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore Historike Kombëtare, kreu i të cilës, Pal Trashaj, ka dhënë alarmin për shkatërrimin që po u bëhet vlerave historike të kësaj zone. Ashtu si edhe kisha, ky varr është monument kulture që mbrohet nga shteti, por që nuk u mbrojt dot.












