Gianni De Biasi tanimë shikohet si një hero edhe në vendlindjen e tij, pasi kualifikoi Shqipërinë për herë të parë në një Kampionat Europian. Trajneri i Kombëtares ishte i ftuar në “Sky Sport Italia” ku në një sondazh 70% e votuesve e zgjodhën si të preferuarin e tyre për të qenë pasardhës i Antonio Contes. Natyrisht nëse ky i fundit lë përfaqësuesen italiane.
Megjithatë De Biasi gjatë intervistës në emisionin “Football Night” pranoi edhe një herë se kontrata e tij me Shqipërinë rinovohet automatikisht deri në 2017, por duke shtuar me humor se tani mund të kërkojë më shumë para. Gianni De Biasi deklaroi se kualifikimi ishte arritja më e madhe e jetës së tij dhe me këtë sukses i lumturoi të gjithë. 59 – vjeçari mori drejtimin e Kombëtares në fundin e 2011 duke zëvendësuar Josip Kuze.












