Universiteti i Shkodrës vendosi sot me votë unanime pezullimin nga detyra të pedagogut Fran Qafa.
Vendimi është marrë pas transmetimit të fakteve ku pedagogu jepte provimet në shkëmbim të parave, dy ditë më parë në emisionin “Fiks Fare”.
Në një deklaratë të Senatit të Universitetit të Shkodrës thuhet se “raste të tilla janë një dukuri e shëmtuar, që nuk kanë asgjë të përbashkët me proceset integruese dhe përpjekjet maksimale që po bën Universiteti për të përmirësuar produktivitetin në funksion të studentëve”.
“Programi ynë ka si synim kryesor qendërsinë e studentit. Sfida jonë është të rrisim cilësinë e të diplomuarve dhe t’i orientojmë ata saktë në tregun e punës”, thuhet në deklaratë.
Deklarata mbyllet me ftesën qe studentët si dhe të gjithë qytetarët, të jenë pjesë e luftës kundër korrupsionit dhe të denoncojnë pa frikë raste të tilla.












