“Kërkoj thirrjen e menjëhershme të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, për të konstatuar mbarimin e mandatit të deputetëve Arben Ndoka dhe Mark Frroku. Çdo vonesë e mëtejshme në trajtimin e kësaj çështje, do ta vendoste Kuvendin e Shqipërisë në kushte antikushtetutshmërie në sjelljen dhe veprimtarinë e tij”.
Kjo është kresa të cilën deputeti i PD-së, Arben Ristani, si anëtar i Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, në përputhje edhe me nenin 71 të Kushtetutës dhe nenin 13 të Rregullores së Kuvendit, i ka drejtuar kreut të Kuvendit Ilir Meta.
Kërkesa e plotë

REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KUVENDI
GRUPI PARLAMENTAR I PARTISË DEMOKRATIKE
Tiranë, më _____/_____/2015
K Ë R K E S Ë
DREJTUAR: ZOTIT ILIR META
KRYETAR I KUVENDIT TË SHQIPËRISË
KËRKUES: DEPUTETI ARBEN RISTANI
OBJEKTI: 1- Mbi mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin;
2- Konstatimi i mbarimit të mandatit të deputetëve Mark Frroku dhe Arben Ndoka
BAZA LIGJORE: Neni 71 i Kushtetutës dhe neni 13 i Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Z. Meta,
Prej më shumë se 2 viteve, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka ngritur shqetësimin për kriminalizimin e Kuvendit dhe prezencën e një numri të lartë deputetësh nga radhët e mazhorancës të cilët kanë rekorde të tmerrshme kriminale. Fillimisht, mazhoranca mohoi ekzistencën e këtij fenomeni, por ne dhe media arritën të provonin me fakte dhe prova prezencën në Kuvend të personave të dënuar për vrasje apo trafik ndërkombëtar të qenieve njerëzore dhe lëndëve narkotike.
Për adresimin e kësaj çështje nga ana jonë janë propozuar për shqyrtim dhe miratim në Kuvend dy iniciativa ligjore, të cilat vijojnë ende të mos-përfshihen për miratim nga ana e mazhorancës. Më 7 Shtator 2015, ditën që në Kuvend u propozuan nga ana jonë iniciativat ligjore për adresimin e fenomenit të kriminalizimit të Kuvendit dhe administratës publike, deputeti i Partisë Socialiste Arben Ndoka, i cili ka qenë i dënuar për favorizim prostitucioni dhe rrëmbim personi, njoftoi dorëheqjen nga mandati i deputetit, nëpërmjet një letre publike drejtuar Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Dorëheqja e deputetit të dënuar Arben Ndoka u përshëndet nga partnerët tanë ndërkombëtar, si akt i cili i shërben dekriminalizimit të politikës.
Mirëpo, pavarësisht se po mbushen 2 muaj nga momenti i heqjes dorë nga mandati i deputetit, ende sot Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, apo Kuvendi i Shqipërisë, nuk kanë ndërmarrë asnjë masë për ndjekjen e këtij rasti dhe vijimin e procedurës së zëvendësimit të tij. Sot, edhe pse i dorëhequr, Arben Ndoka, i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për favorizim prostitucioni dhe rrëmbim personi, vijon ende të jetë deputet. Ky fakt, bie ndesh me shkronjën “b”, të pikës 2 të nenit 71 të Kushtetutës, ku specifikohet se mandati i deputetit mbaron kur ai heq dorë nga mandati.
Nga ana tjetër, një tjetër deputet i mazhorancës parlamentare, i dënuar për vrasje, vijon ende në kundërshtim me Kushtetutën të mbajë mandatin e deputetit. Me vendimin nr. 42/2015, datë 2.4.2015, Kuvendi ka dhënë autorizimin për arrestimin e deputetit Mark Frroku, kërkuar nga Prokurori i Përgjithshëm me kërkesën nr. 1004/29 Prot., datë 28.3.2015. Që nga data 02.04.2015 deputeti Mark Frroku nuk është paraqitur në seancë plenare, duke munguar pa arsye të ligjshme në Kuvend. Në këtë pikë, sjellim në vëmendjen tuaj se fakti që deputeti Mark Frroku, ndodhet nën masën e sigurimit “arrest me burg”, nuk përbën shkak të ligjshëm që justifikon mungesën në Kuvend. Kryerja e një veprimi të kundërligjshëm, për më tepër vrasja e një personi, është akt i kryer me dashje të plotë dhe që dihet se sjell arrestimin e autorit. Prandaj edhe arrestimi i një deputeti dhe fakti se ai është në burg, nuk nënkupton se deputeti është i justifikuar në mungesën e tij në punimet e Kuvendit të Shqipërisë. Kryerja e veprimeve që pas-sjell arrestimin dhe dënimin, janë akte të plota vullneti dhe si të tilla nuk mund të shërbejnë si justifikim i ligjshëm.
Më datë 2.10.2015 është plotësuar afati 6 mujor i mungesës në Kuvend të deputetit të akuzuar për vrasje Mark Frroku. Kuvendi duhet të kishte konstatuar mbarimin e mandatit të tij më datë 2.10.2015, por deri më sot asnjë veprim në këtë drejtim nuk është ndërmarrë nga mazhoranca parlamentare. Kjo sjellje e mazhorancës parlamentare bie ndesh me shkronjën “d”, të pikës 2 të nenit 71 të Kushtetutës, ku specifikohet se mandati i deputetit mbaron kur ai mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend.
Për sa më lart, në cilësinë time si anëtar i Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, në përputhje me nenin 71 të Kushtetutës dhe nenin 13 të Rregullores së Kuvendit, kërkoj thirrjen e menjëhershme të Këshillit, për të konstatuar mbarimin e mandaitit të deputetëve Arben Ndoka dhe Mark Frroku. Cdo vonesë e mëtejshme në trajtimin e kësaj çështje, do ta vendoste Kuvendin e Shqipërisë në kushte antikushtetutshmërie në sjelljen dhe veprimtarinë e tij.
Duke ju falënderuar për mirëkuptimin,
DEPUTETI
ARBEN RISTANI











