Një haker nga Kosova është arrestuar në Malajzi, pasi pretendohet se i ka dhënë informacione grupit militant të Shtetit Islamik (IS) për anëtarët e shërbimeve amerikane.
CNN shkruan se autoritetet amerikane kanë zbuluar identitetin e kosovarit, ai është Ardit Ferizi 20 vjeç, i cili u arrestua në Kuala Lumpur me një urdhër arresti të përkohshëm amerikan.
Sipas një ankese penale, hakeri Ardit Ferizi ka hyrë në sistemin kompjuterike të shërbimeve amerikane duke vjedhur informacione për më shumë se 1000 mijë anëtarë të shërbimeve e punonjësve federale dhe duke ia vënë në dispozicion Shtetit Islamik.
Ndihmës Prokurori i Përgjithshëm i SHBA, John Carlin tha se ky arrestim tregon vendosmërinë tonë për t’u përballuar dhe për të penguar përpjekjet e ISIL për të synuar amerikanët në çfarëdolloj forme.
Lidhjet e hakerit me ISIS
Sipas ankesës penale të lëshuar nga Gjykata Federale në Virginia të SHBA-ve, thuhet se hakeri kosovar Ardit Ferizi ishte futur në serverin e një kompanie amerikane, kishte vjedhur të dhënat e 1300 zyrtarëve amerikan dhe ja kishte dhënë këto të dhëna Shtetit Islamik.
Këto të dhëna Arditi i kishte shkëmbyer me Junaid Hussain, ish-udhëheqës i Kalifatit Kibernetik (CyberCaliphate), pjesë përbërëse e Shtetit Islamik që ishin autor të sulmit të llogarive të Komandës Qëndrore të SHBA-së në rrjetet sociale këtë vit. Sipas ankesës penale të dhënat që kishte siguruar hakeri kosovar do të përdoreshin për të sulmuar ata shtetas amerikan.
Junaid Hussain ishte vrarë në muajin gusht në Siri nga një sulm ajror amerikan. Grupi i tij kishte shfrytëzuar rrjetet sociale për të rekrutuar pjesëtarë të ri të ISIS-it kryesisht me arsyen për të ju bashkuar luftës në Irak dhe Siri.
Ndërsa Fox News shkruan se hakeri kosovar Ardit Ferizi apo ndryshe siç njihej me nofkën Th3Dir3ctorY duket se mosha e re e kishte bërë atë tepër të pakujdesshëm ngaqë shpesh herë në internet sulmet e tij i paraqiste edhe me emrin e tij personal, Ardit. Ai përdorte po këtë emër edhe ne rrjete sociale të ndryshme, dhe kishte shfrytëzuar po këto rrjete sociale për të komunikuar me ISIS.
I dyshuari udhëheq një grup hakerash në Kosovë
Sipas ankesës penale, Ferizi besohet të jetë lider i një grupi të hakerave njohur si “Kosova Hacker Security.
Policia Malajzisë tha se hakeri 20-vjeçar kishte hyrë në vend në gusht 2014 për të ndjekur studimet për shkenca kompjuterike dhe mjekësi ligjore kompjuter në një kolegj në Kuala Lumpur.
Autoritetet e Malajzisë e kishin monitoruar atë për disa muaj pas marrjes së informacionit nga FBI.












