Rreth 690 biznese në Vlorë kanë stakuar kasat fiskale që prej së dielës, kur qyteti bregdetar u përmbyt nga reshjet intensive të shiut.
Në këto kushte drejtoria Rajonale e Tatimeve ka shfokusuar punën nga lufta kundër informalitetit te mbështetja morale e bizneseve, pasi janë me dhjetëra që kanë depozituar kërkesë pranë këtij institucioni për të ç’iventarizuar mallin e dëmtuar për zbritje nga bilanci i fundvitit.
Pranvera Resulaj, Drejtoresha e Tatimeve Vlorë, shprehet se, “Kemi dalë në terren për të kryer verifikimet. Për të parë dëmtimet dhe këshilluar një pjesë të praktikës”.
Nga përmbytjet e fundjavës së shkuar në qytetin e Vlorës u dëmtuan qindra biznese, banesa e toka bujqësore. Nga të dhënave zyrtare të Shtabit të Emergjencave janë përmbytur 220 banesa, 14 kate të para pallatesh, të përdorura nga biznese të vogla e të mëdha, si dhe janë evakuuar 32 familje në konviktet e shkollës industriale. Ende gjenden nën ujë janë 300 ha tokë në Novoselë.











