Qeveria shqiptare vazhdon të çudisë. Për atë transparencë nuk është më ballafaqimi me mediat i zyrtarëve të akuzuar për afera të ndryshme, por “konkurrenca” e saj me mediat nëpërmjet hapjes së një portali on-line lajmesh prej saj.
Këtë e ka lajmëruar sot Endri Fuga Drejtor i Komunikimit në Kryeministri nëpërmjet një video-mesazhi që ai ka publikuar në “You Tube”.
Nëpërmjet videos, duke paragjykuar portalet on-line ekzistuese, për “informacione të pavërteta dhe të shtrembëruara”, Fuga lajmëron nismën e re të Qeverisë, e cila as më shumë e as më pak, është hapja e portalit të saj të lajmeve, “transparenca.al”.
Sipas Drejtorit të Komunikimit në Kryeministri ky portal do të ketë “informacion të nevojshëm për çdo akuzë qoftë nga media qoftë nga opozita”.
Në video-mesazhin e tij Fuga paralajmëron gazetarët që nga sot e tutje, do të ketë vetëm një të vëretë, ajo që do të transmetojë “transparenca.al” dhe se nuk do të ketë asnjë komunikim të drejtpërdrejtë me persona të akuzuar, por se duhet ti drejtohen këtij portali të Qeverisë, “para se të shkruajnë”.
“Duke shpresuar shndërrimin e këtij portali në një pikë referimi për gazetarët, të cilët do të kenë mundësi të informohen përpara se të shkruajnë, por edhe për publikun e gjerë, ne do të fillojmë të publikojmë që sot gjithë informacionin e nevojshëm që qeveria shqiptare të komunikojë në një mënyrë sa më të drejtpërdrejtë dhe transparente me shqiptaret dhe shqiptarët”, përfundon video-mesazhin e tij Endri Fuga Drejtor i Komunikimit në Kryeministri.












