Të tjera detaje zbulohen lidhur me marrëveshjen mes kompanisë DIA dhe CEZ, si dhe roli që shteti shqiptar ka pasur me kontratat e firmosura me këto kompani.
Televizioni ‘News 24’ ka siguruar një vendim të gjykatës së ishujve Virgin me anë të së cilit Rebeka Gaskin Gain nuk është më përfaqësuese e kompanisë DIA, çka njeh Kastriot Ismailajn si të vetmin përfaqësues të kompanisë.
Por ky vendim, sipas gazetarit Artan Hoxha rrëzon marrëveshjen e qeverisë shqiptare me DIAn, marrëveshje e arritur me zonjën Rebeka Gaskin Gain në dhjetor të 2014ës, për tu tërhequr nga arbitrazhi dhe e dërgon çështjen e mosmarrëveshjes së CEZ me OSHEE në arbitrazh, aty ku shteti shqiptar rrezikon të humbasë 135 milionw euro.
“Po pse është i rëndësishëm ky vendim? Nëse keni dëgjuar ministrin Gjijknuri dhe juristët e OSHEE qeveria ka bërë një marrëveshje. Rebeka Gaskin Gain ka marrë administrimin e kompanisë kur ka filluar ndjekja penale për Ismailaj. Ai e ka ndjerë rrezikun… Duke ndjerë rrezikun Ismaliaj nëpërmjet studios ligjore i është drejtuar studios ligjore në Ishujt Virxhin, atje ku kompania është regjistruar më 16 korrik 2015 pa plasur ende skandali në Shqipëri dhe në 31 gusht të 2015 e njofton studion ligjore të Ismailaj se e njeh si Administrator. Kjo do të thotë se marrëveshja e Rebekës me qeverisë shqiptare në 4 dhjetor 2014 rrëzohet. Pra marrëveshja do vazhdojë deri në një vendim të arbitrazhit. Shteti shqiptar rrezikon të humbasë këto para”, tha Hoxha.
Sipas Hoxhës, kompania e Ismailaj do të përfaqësohet nga një shtetas izraelit në arbitrazh.
“Edhe nëse ngelet në arrest me burg Kastriot Ismailaj, kompania do të përfaqësohet nga një shtetas izraelit…Ka rënë marrëveshja e 4 dhjetorit 2014 dhe procesi do vazhdojë në arbitrazh. Ismailaj vetë është shprehur se nuk do tërhiqet nga arbitrazhit edhe pse ndodhet në burg…”.
Sipas gazetarit Hoxha, çështja e CEZit mund të mbyllet vetëm pas një hetimi ndërkombëtar.
“Kjo çështje nuk mund të mbyllet me marrëveshje politike. Duhet të ndryshojë legjislacioni, sepse legjislacioni shqiptar nuk e lejon një hetim ndërkombëtar”, deklaroi ai.
Sipas Hoxhës, “politizimi i çështjes gjatë muajit shtator, mund të përdoret për të fajësuar dhe për të rënduar pozitën e OSHEEsë dhe shtetit shqiptar në arbitrazh. Aq me tepër akuzat dhe sulmi që u bë për të trembur intimiduar dëshmitarin e mbrojtur në këtë histori, mund të përdoren nga studioja ligjore që mbron kompaninë DIA në Vjenë”.
Sipas gazetarit Artan Hoxha, Kastriot Ismailaj pretendon se mbahet në burg dhe i janë bllokuar llogaritë bankare për të hequr dorë nga arbitrazhi në Vjenë.
“Praktikisht Kastriot Ismailaj nuk ka më para në Shqipëri për të paguar studion ligjore ne Vjenë sepse ja ka marrë shtetit paratë dhe nuk mund të bashkëpunojë me studion ligjore pasi mbahet në burg. DIA nuk ka hedhur në gjyq shtetin shqiptar por CEZin. Por shteti shqiptar pas marrëveshjes ka marrë mbi vete edhe çështjen e DIAs”, tha ai.
(“News24”)












