“Gjermania kërkon të punësojë rreth 1 mijë infermierë shqiptarë gjatë një viti”, tha dje në ceremoninë e diplomimit të 250 infermierëve dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Petrit Bare.
Kjo i ka nxitur infermierët që aktualisht punojnë, por edhe studentët e rinj që sytë t’i kenë drejt këtij shteti, i cili për hir të së vërtetës ofron paga dhe kushte mjaft të mira.
Në një takim të zhvilluar dje, ndër të tjera dekani i Fakultetit të Infermierisë pohoi se në mbledhjen e ardhshme së Senatit do të propozojë që gjuha gjermane të vihet në mënyrë që studentët të kenë të drejtën e zgjedhjes. Veç kësaj shtoi se janë gati 500 infermierët e parë që do të ikin drejt shtetit gjerman. “Për këtë vit mund të shkojnë në Gjermani 500 të diplomuar. Gjermania ka në plan që të marrë 1000 infermierë në vit, sipas dijenisë sime”, sqaroi dekani Bare.
Ai nënvizoi se nuk do të krijojë boshllëqe largimi i një numri të madh infermierësh, apo ikja e më të mirëve.
Në një intervistë të dhënë më herët presidenti i Urdhrit të Infermierëve, Sabri Skënderi, sqaron se në Shqipëri ka rreth dy mijë infermierë të licencuar, por që janë të papunë. Sipas tij, kjo është një prej arsyeve që i shtyn, por faktorë të tjerë po kaq të rëndësishëm janë edhe paga më e lartë e kushtet e punës më të mira që ofron shteti gjerman. Sipas Skënderit, nevojat dhe kërkesat e shtetit gjerman janë më të mëdha.











