Autoritet e drejtësisë italiane kërkojnë ekstradimin e shtetasit të tyre Stefano Bodurra, i arrestuar vetëm pak ditë më parë në Tiranë për vjedhje të bankave me anë të mashtrimit kompjuterik.
Në Prokurorin e Përgjithshme pala italiane ka dorëzuar kërkesën për ekstradimin e 43 vjeçarit, pasi rezulton i dënuar me 8 vjet e 11 muaj burg për akuzën e “mashtrimit kompjuterik”.Po me këtë akuzë, italiani është proceduar edhe në Zvicër, Holandë, Belgjikë dhe Francë ku me anë të mashtrimit kompjuterik ka përfituar shuma të mëdha parash. Sipas prokurorisë, në momentin e arrestimit në dhomën e hotelit në “Bulevardi Zogu i Parë”, policia ka gjetur dhe sekuestruar 20 milionë lekë, të cilat mendohet se janë paratë e vjedhura në një bankë të nivelit të dytë në vend.
Përveç parave, hetuesit kanë gjetur një laptop, aparat celular, dy shish konjak disa vjeçar me vlerë 1 milion lekë si dhe disa orë të shtrenjta që sapo i kishte blerë me anë të kartave të kredit të klonuara. Të gjithë këto prova, mësohet se policia i ka administruar në dosjen hetimore me cilësinë e provës materiale.
Burimet thonë se italiani 43 vjeçar kishte 4 muaj që kishte hyrë në territorin shqiptar, duke regjistruar në QKR një kompani me emrin HRS Group dhe një dyqan në rrugën “Mine Peza” me emërtimin “Evolveo” ku edhe është pajisur me aparatin POS nga banka e nivelit të dytë. Prokurorët thonë se vetëm brenda 3 ditëve 43 vjeçari Bodurra ka kryer trasaksione në vlerën rreth 74 mln lekë. Transaksione këto të kryera me aparatin POS të po kësaj banke me 6 karta të ndryshme, duke deklaruar si blerje të ndryshme.
Disa minuta pas transaksionit, italiani Bodurra nëpërmjet një opsioni në POS, i cili quhet “Refund Option” ai ka kthyer në të njëjtat karta shuma më të mëdha se ato që ai ka procesuar në blerje fillimisht. Totali i transaksioneve të kryera me opsionin rimburësimit ka kthyer shumën prej rreth 92 mln lekëve. Këto transaksione dhe vjedhje, hetuesit thonë se italiani i ka kryer duke shfrytëzuar një gabim teknik që banka nuk e ka kapur në kohë për shkak të mungesës së eksperiencës në vjedhje të tilla kompjuterike.
Në momentin e konstatimit, banka ka bllokuar llogaritë e kompanisë së italianit, pasi rezultoi se ishte fiktivë dhe përdorej si kamuflim nga italiani për të kryer transaksionet e ndryshme bankare, duke bërë blerje apo kalimin në llogarinë e tij personale nga e cila bënte edhe tërheqjen e parave.
Për këtë vjedhje me anë të mashtrimit, italiani Stefano Bodurra pritet të dal gjatë ditës së enjte para Gjykatës së Tiranës për vleftësimin e arrestit dhe caktimin e masë së sigurisë “arrest meburg” të kërkuar nga prokuroria.











