Thellohet përplasja mes Presidentit Bujar Nishani dhe ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, për lirimin nga detyra të ambasadorit të Shqipërisë në OSBE. Edhe pse Presidenti i Republikës nuk e ka dekretuar lirimin nga detyra të ambasadorit Spiro Koçi, mësohet se ky i fundit është kthyer në Tiranë.
Shkak për këtë është bërë vendimi i ministrit të Jashtëm për t’i ndërprerë pagesën dhe qiranë e shtëpisë në të cilën jetonte në Vjenë ambasadori Koçi.
Në një kohë që kreu i shtetit, Bujar Nishani, i ka kërkuar ambasadorit Koçi të qëndrojë në detyrë dhe t’i konsiderojë si të pavlefshme urdhrat e Ministrisë së Jashtme për përfundimin e mandatit të tij, MPJ ka gjetur si rrugëzgjidhje alternative duke i prerë financat.
I kontaktuar nga “Panorama”, ambasadori Spiro Koçi ka konfirmuar se ndodhet në Tiranë dhe se është larguar nga funksioni i tij si diplomat në selinë e OSBE-së, në Vjenë. Ai nuk ka dashur të flasë për mënyrën e lirimit dhe vendimin e Ministrisë së Jashtme.
“Për këto çështje kontaktoni me Presidencën dhe Ministrinë e Jashtëm”, u shpreh Koçi.
Mësohet se pas lënies së vendit vakant në Misionin e OSBE-së në Vjenë, ambasadori ende në detyrë nuk është angazhuar nga Ministria e Jashtme në një funksion tjetër. Por burime të “Panoramës” bënë me dije se Spiro Koçit i është ofruar një vend pune si këshilltar pranë Kuvendit të Shqipërisë. Kryetarja e Komisionit të Jashtëm, Arta Dade, sipas burimeve mësohet se i ka ofruar ambasadorit Spiro Koçi që të ushtrojë funksion e këshilltarit pranë Komisionit të Jashtëm.












